Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit të tij sot në Komsionin për Buxhet dhe Financa, ka treguar se mbi 2 milionë euro që janë kursyer nga shkurtimi i pagave në Agjencinë e Privatizimit në Kosovë (AKP), janë shfrytëzuar për rekrutime të reja në FSK.
Sipas Muratit, deri më tani janë hapur 840 pozita të reja në FSK, pagat e të cilëve do të mbulohen pikërisht nga kursimet e shkurtimit të pagave në AKP.
“Pra, janë rekrutë të rinj në FSK, të cilat vijnë si rezultat i shkurtimit të pagave në AKP”, tha ai.
Murati këtë diskutim e lidhi edhe me pagat e larta në Radiotelevizionin e Kosovës, ku sipas tij rreth 100 punëtorë në këtë medium publik kanë pagë më të lartë sesa paga e një ministri.
Ky diskutim erdhi pasi opozita e kritikoi Qeverinë për zvogëlimin e buxhetit të RTK-së për vitin 2022.
Ndërsa ministri Murati tha se është e vërtetë që ka shkurtim të buxhetit në RTK, porse këtë nuk e kanë bërë duke mos e marrë parasysh gjendjen.
Ministri shtoi tutje se buxheti i paraparë për RTK-në për vitin vijues është i mjaftueshëm, dhe sipas tij nëse do të mund të bëhet shkurtimi i pagave sikurse në AKP, atëherë me ato para do të mund të hapeshin vende te reja të punës njësoj.
“Njëjtë edhe në RTK mund të bëhet, nëse RTK-ja ka buxhetin më të lartë sesa Kuvendi, dhe prapë ankohet se s’ka buxhet për mua s’është në rregull diçka. Nëse RTK ka 100 persona që marrin pagë më të lartë se paga e ministrit nuk di a është e nevojshme një gjë e tillë”, përfundoi ministri. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/











