Çmimi i energjisë elektrike pritet ta arrijë pikun gjatë këtij dimri. Por kjo rritje do të jetë kalimtare, të paktën sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim të Rregullatorëve të Energjisë.
Çmimet do të shënojnë ulje të ndjeshme në prillin e vitit të ardhshëm, si të rrymës, ashtu edhe në tregun e gazit.
Kjo situatë pritet të ndikojë edhe në Kosovë, pasi distributori KESCO një pjesë të energjisë e importon nga jashtë. Megjithatë, sipas njohësit të kësaj fushe, Lulzim Syla, në pranverë nuk do të mund t’u shpëtojmë faturave më të shtrenjta.
Njësoj mendon edhe Nexhat Llumnica nga Sindikata e Korporatës Energjetike, që e shton edhe një arsye, pasi Kosova B pritet të futet në rivitalizim. Kësisoj, KESCO-s do t’i duhet më shumë import.
Llumnica për Klan Kosova tha se gjatë dimrit mund të ketë edhe reduktime, për shkak të shpenzimit më të madh të rrymës. E për përballje me këtë krizë, Syla thotë se duhet të reagojë qeveria.
Raporti i ACER shpjegon se çmimet aktuale të energjisë do të kenë ndikim në të gjitha fushat në Evropë, edhe në të ardhmen.
Çmimi i importit në Kosovë është pesëfishuar gjatë javëve të fundit. Por vlera e rrymës në faturat e ekonomive familjare nuk do të ndryshojë deri në prill të 2022-ës, atëherë kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet ta shqyrtojë rritjen e çmimit.