Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë njofton se shpreh shqetësimet lidhur me raportimet për trajtim diskriminues të pjesëtarëve të një komuniteti të caktuar nga ana e punonjësve të një operatori ekonomik.
Sipas OEAK-ut, trajtimi jo-diskriminues është detyrim kushtetues për të gjithë në Kosovë.
“Praktikat e shërbimit gjithëpërfshirës dhe jo-diskriminues duhet të jenë edhe pjesë e demonstrimit aktiv të vlerave të përgjegjësisë sociale korporatave dhe si të tilla duhet të respektohen gjatë tërë kohës nga të gjitha ndërmarrjet në Kosovë. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë që të shmangin veprimet që mund të sugjerojnë diskriminim apo përjashtim nga e drejta e shërbimit në çfarëdo baze”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pas raportimeve se lokalet e gastronomisë po refuzojnë t’i shërbejnë pjesëtarëve të komuniteteve RAE. Sipas tij një rast të tillë ka ndodhur së fundi në qytetin e Gjakovës.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve.