Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dhënë disa rekomandime për institucionet shtetërore që të ulet akciza për naftën si dhe TVSH-ja për disa produkte, në mënyrë që t’ua lehtësojë qytetarëve përballjen me rritjen e çmimeve të produkteve bazike ushqimore.
“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat mund të zbusin situatën, por nuk mund të tejkalojnë një problem, i cili është global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë sesa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa janë kategoritë sociale për të cilat duhet ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit, të cilëve u është rritur kostoja e prodhimit. Kështu, qeveria duhet të shikojë mundësinë që të ketë për shembull intervenime tek akciza për naftën, për vajrat, për gazin”, është shprehur Rukiqi.
Rukiqi ka komentuar edhe paralajmërimet pë rritjen e pagës minimale, që sipas tij, do të ishte hap i mirë, por vetëm duke respektuar kriteret.
“Ne e kemi përkrahur, jemi pjesë e Këshillit Ekonomik Social, ne nuk kemi kundërshtuar rritjen e pagës minimale, duke u bazuar në shumë faktorë tash. Normalisht që njëra prej kritereve për me u rritë paga minimale është shkalla e inflacionit në vend. Nuk është imja ta kërkoj si komunitet i biznesit, mirëpo konstatimi im në këtë rast dhe qëndrimi ynë si Odë Ekonomike ka qenë se ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagës minimale nëse respektohen kriteret e caktuara”, është shprehur Rukiqi.
Qeveria Kurti para disa ditëve ka prezantuar edhe Pakon e Ringjalljes Ekonomike, me disa masa që do t’iu vijnë në ndihmë qytetarëve në përballje me rritjen e çmimeve. Ajo ka ndarë 36 milionë euro për skema sociale e pensionale, teksa ka paralajmëruar edhe një pako të re për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, e që vlera është paralajmëruar të jetë 108 milionë euro.