Pandemia dhe ndikimi në ekonominë e Kosovës

Fotografi ilustruese

Pandemia e shkaktuar nga virusi korona, përveç në shëndetësi, ka ndikuar dëmshëm edhe në ekonominë e Kosovës, duke e rënduar më shumë jetën e banorëve, sidomos atyre të papunë apo me të ardhura të ulëta.

Shumë sish madje kanë humbur vendet e punës, e disa të tjerë kanë shpenzuar edhe paratë e fundit për të siguruar ilaçet e domosdoshme për trajtimin e sëmundjes së shkaktuar nga virusi.

Njëkohësisht rritja e çmimeve të produkteve elementare e ka vështirësuar më tej jetën e shumë banorëve.

Reklama e sponzorizuar

Zija Morina është një tregtar që shet produkte bujqësore në tregun e Kamenicës. Ai thotë se pandemia ka ndikuar negativisht dhe e ka thelluar varfërinë tek familjet në Kosovë.

“Pandemia na ka varfëruar më shumë. Qeveria më herët as nuk na linte të dilnim në treg dhe kjo ka qenë pengesë e madhe, por çfarë të bëjmë. Edhe ne si të tjerët, duhet të gjendemi disi, por shumë e vështirë”, pohon ai.

Papunësia dominon sidomos tek familjet e komunitetit rom, ashkali e egjiptian. Si pasojë kushtet e tyre ekonomike e sociale janë shumë të këqija, thotë Mehmedali Gradina banor i komunitetit rom në Janjevë të Lipjanit.

“Papunësia e madhe është këtu. Po flasim për komunitetin rom, s’ma merr mendja që janë tre apo katër persona që punojnë, të tjerët jetojnë me ndihma sociale”, thekson Gradina.

Agjencisë e Statistikave të Kosovës dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës japin shifra të ndryshme sa i përket papunësisë.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave tregojnë se nga muaji qershor 2020 deri në muajin qershor 2021 është shënuar rritje e punësimit, konkretisht janë shtuar 22 mijë vende pune të deklaruara. Derisa në fund të muajit qershor të këtij viti kanë qenë 364 mijë vende punë të deklaruara, në qershor të vitit 2020 kanë qenë 342 mijë vende pune.

Por sindikalistët thonë se gjatë pandemisë është rritur papunësia. Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së nuk jep të dhëna të sakta, por thotë se ka pasur rritje të madhe të papunësisë, si pasojë e pandemisë.

“Ne e kemi një shifër që është e përgjithshme që është 30 për qind që e kanë humbur vendin e punës, por kemi edhe ulje të pagave, pastaj kemi punëtorë që punojnë pa kontrata punë me të ardhura të ulëta, kështu që gjendja nuk është e mirë”, thekson Hykolli.

Papunësia e lartë dhe mungesa e perspektivës afatgjatë ka ndikuar që shumë të rinj ta konsiderojnë si mundësi të vetme emigrimin në vendet perëndimore.

B.Gashi, rreth të 40-tave, ka pritur 4 muaj për të siguruar një termin për të aplikuar për vizë pune në Gjermani. Ndonëse nuk pranoi të flasë publikisht, pohoi se ka paguar një shumë të lartë parash për të siguruar vizën, me shpresë që të mund të shkojë atje për punë.

Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë ofron trajnime të ndryshme për punëkërkues që synim kanë tregun e Gjermanisë. Drejtori i kësaj agjencie Bedri Xhafa, thotë se punëkërkuesit kërkojnë mjedis të favorshëm për të punuar, dhe se një gjë e tillë do të arrihet vetëm përmes zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Ne po provojmë që kjo lëvizje e kuadrit jashtë të jetë sa më afatshkurtër dhe aq sa kemi mundësi të bëjmë ndikim në shoqërinë kosovare, që edhe këtu të zhvillohet sistemi i zhvillimit të aftësimit profesional. Mirëpo baza e krejt kësaj është forcimi i zhvillimit ekonomik në Kosovë”, pohon Xhafa.

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut në Lipjan është një organizatë që ka mbajtur dhjetëra trajnime për të rinj në fusha të ndryshme. Ferdian Shala, menaxher i projekteve në këtë organizatë, thotë se papunësia është ndër problemet më të mëdha të të rinjve në Kosovë, dhe se shumica e tyre synojnë të ikin në vendet perëndimore.

“Është shqetësuese por unë shpresoj shumë që do të punojmë shumë që këta të rinj të mos i lejojmë të ikin sepse do të jetë gjenerata që do ta zhvillojë vendin tonë”, thekson Shala.

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon çdo vit të dhëna rreth vlerësimit të popullsisë, duke përfshirë edhe migrimin, thotë Avni Kastrati, drejtor i Statistikave Sociale në ASK.

“Gjatë vitit të kaluar numri i emigrantëve ka qenë 8 mijë e 724 banorë, që e kanë lëshuar Kosovën”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës gjatë dy viteve të pandemisë ka mbështetur kompanitë në Kosovë me disa pako financiare, fillimisht për pako emergjente e më pas të ringjalljes ekonomike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se pako në tërësi, por edhe masat specifike të pakos kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe formalizimin e ekonomisë, përmirësimin e bruto produktit të brendshëm dhe ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal.

“Shuma totale e Pakos së Ringjalljes Ekonomike kap vlerën prej 420 milionë euro dhe vlen të theksohet se në kuadër të pakos hynë edhe bonot e diasporës ku mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për financimin e një pjese të pakos”, ka thënë Murati.

Sipas ministrit Murati, kjo pako përbëhet nga 5 grupe të masave, të cilat më pas ndahen në nën-masa të cilat në fokus kanë mbështetjen e punësimit në vlerë prej 50 milionë euro, ringjalljen e ekonomisë së prodhimit në vlerë prej 108 milionë euro, pastaj mbështetjen për familjet në vlerë prej 50 milionë euro, mbështetja për shërbimet publike 112 euro si dhe investimin në infrastrukturë dhe ambient 100 milionë euro.

Ndryshe, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje prej 16.28 për qind në periudhën e tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas këtij raporti, ekonomia vendore ka shënuar rritje prej 10.4 për qind nëse krahasohet gjysma e parë e vitit 2021 me atë të vitit 2020.

Për ekonomistët, kjo shifër e rritjes së tremujorit të tretë nuk është shumë e lartë, duke marrë parasysh periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur kishte mbyllje totale të bizneseve për shkak të pandemisë.

Visar Vokrri, drejtor për program në Institutin Riinvest, thotë se rritja prej rreth 16 për qind gjatë këtij tremujori krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka qenë e pritshme.

“Them e pritshme për shkak të efektit bazë, për shkak të rënies që kemi pasur vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar kishim një rënie po në këtë tremujor me 8 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak”, thekson Vokrri.

Vokrri thotë se trendi i rritjes është premtues, dhe është rritje e shëndoshë, sepse buron nga rritja e sektorit privat, nga investimet dhe rritja e eksporteve. Njëkohësisht sipas tij, gjatë kësaj periudhe është rritur eksporti për 30 për qind, si dhe dërgesat e mërgimtarëve, ndonëse efekti i tyre do të shihet në tremujorin e tretë, thekson ai.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e remitencave në Kosovë për periudhën janar-gusht 2021, ka arritur në 749.6 milionë euro apo 141.2 milionë euro më shumë se gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, ku vlera e përgjithshme e tyre ishte rreth 608 milionë euro.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Botërore, të publikuar në tetor, thuhet se aktiviteti ekonomik në Kosovë gjatë vitit 2021 pritet të zgjerohet në 7.1 për qind, rritje kjo e nxitur nga vizitat e diasporës, masat mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Rritja parashikohet të mbetet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme, thuhet raport./Radio Kosova/