Mbrëmë në orët e vona të natës janë vendosur krahët e turbinës së fundit në kuadër të projekteve gjigante të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë. Kësisoji, ka përfunduar me sukses ndërtimi i projekteve më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Gjithsejt 27 turbina të prodhuesit General Electric janë vendosur në kuadër të tri projekteve të ndryshme të erës në Bajgorë, të emëruara Selaci 1, Selaci 2 dhe Selaci 3. Fuqia e përgjithshme e instaluar e prodhimit është rreth 105 megavat.
Projektet janë zhvilluar nga kompania kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’, ndërsa janë ndërtuar nga ndërmarrja gjermane, NOTUS Energy. Në kuadër të projektit është ndërtuar edhe linja 20 kilometërshe e transmetimit nga kompania Elektrostublla nga Kosova.
Projektet e investitorit ‘SOWI Kosovo’ sjellin investime prej rreth 180 milion eurosh në Kosovë, 58 milion nga të cilat janë siguruar përmes kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Përvec financimit nga BERZH, projekti financohet edhe nga Erste Bank dhe NLB Group deri sa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët e projektit.
Projekti i parë ka filluar operimin komercial
Ndryshe, kohë më parë ka filluar operimi komercial i projektit të parë të erës në Kosovë. Në mbledhjen e mbajtur më 15 tetor, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka licencuar projektin e parë të erës në Bajgorë, apo projektin ‘Selaci 1’.
Me anë të këtij vendimi, Bordi i ZRRE-së ka autorizuar kompaninë SOWI Kosovo të fillojë prodhimin e rrymës nga burimet e ripërtëritshme të erës në Bajgorë, për njërin projekt me fuqi të instaluar prej rreth 35 megavatësh.
Projektet e mbetura, ‘Selaci 2’ dhe ‘Selaci 3’, secili me nga 35 megavat fuqi të instaluar, do të fillojnë prodhimin pas përfundimit të procedurave të fundit të komisionimit dhe licencimit të aktivitetit prodhues./kosovo.energy/