Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka aprovuar kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecit, për kompensimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore për periudhën Janar -Tetor 2021, në vlerë të 1.7 milionë eurove.
Të gjitha këto mjete pritet t’iu shkojnë në ndihmë gjithsej 2 mijë e 460 fermerëve në 29 komuna të Kosovës, që kanë pësuar nga fatkeqësitë. Këta fermerë janë përzgjedhur në bashkëpunim të ngushtë me komisionet e përcaktuara nga komunat përkatëse, nëjnë të ditur nga ministria përmes një njoftimi për media.
Sipas të njëjtit njoftim, përmes këtij buxheti, fermerët do të kompensohen me 36% për dëmet e shkaktuara në ekomonitë e tyre familjare kryesisht në sektorin e hortikulturës, në fusha të hapura dhe në sera.
Ndryshe, gjatë mbledhjes u tha edhe se ky është vendimi i dytë i Qeverisë së Kosovës brenda 4 muajve lidhur me kompensimin e dëmeve në bujqësi, pasi edhe vitin e kaluar janë kompensuar dëme në vlerë prej rreth 1.3 milionë eurove për periudhën Korrik – Dhjetor 2020 apo 30% të vlerës së totalit prej rreth 4.3 milionë.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media, ministri Faton Peci ka deklaruar se është aprovuar edhe pakoja prej 19 projektligjeve nga Kabineti Qeveritar, të cilat sipas tij, kanë për qëllim realizimin e objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të legjislacionit dhe modernizimin e legjislacionit në përgjithësi në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Këto projektligje kanë për qëllim që t’i adresojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse në Ministri, duke vendosur kështu ligjshmërinë dhe drejtësinë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi”, tha Ministri Peci.
Ligjet e përfshira në këtë pako janë si në vijim: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l-8 për Verërat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 9 për Ujitjen e Tokave Bujqësore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 10 për Përkujdesjen Ndaj Kafshëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. O2/l- 53 për Gjuetinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l- 85 për Peshkatari dhe Akuakulturë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/l-111 për Bletari, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-040 për Rregullimin e Tokës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l- 120 për Mbrojtjen e Bimëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/13 për Materialin Fidanor, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/10 për Plehrat Artificial, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/5 i Kosovës për Farërat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/l- 029 për Inspeksionin Bujqësor, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/l- 042 i Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l- 041 për Prodhimin, Grumbullimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Duhanit, Projekt ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-085 për Bujqësi Organike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-114 për Pasurimin e Miellit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/l-127 për Regjistrimin e Bujqësisë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/9 për Kooperativat e Bujqve dhe Projektligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë. /Buletini Ekonomik/