Qeveria njofton për një buxhet prej 100 milionë eurove për bujqësinë më 2022

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka bërë të ditur se do t’iu vijë në ndihmë fermerëve kosovarë përmes Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe përmes rritjes së buxhetit për këtë sektor deri në 100 milionë euro për vitin 2022 dhe një granti të jashtëm në vlerë të 20 milionë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit hyrës, tha se Qeveria nëpërmjet politikave afatgjata dhe shtimit të buxhetit, është duke u siguruar që të përkrahë sektorin e bujqësisë si është më së miri e më sigurt, duke rritur përkrahjen për fermerët.

Kjo përkrahje e madhe, sipas Kurtit do të gjejë mbështetje dhe siguri në legjislacionin të cilin po e konsolidojnë, duke filluar me Projektligjin për Bujqësi dhe zhvillim Rural, i cili e mori edhe miratimin e kabinetit qeveritar sot.

Reklama e sponzorizuar

Kurti tregoi se kanë rritur buxhetin për sektorin e bujqësisë, i cili për vitin 2022 pritet të jetë mbi 100 milionë euro së bashku me donatorët, si dhe javët e kaluara kanë lansuar edhe masat për investimin në shtimin e prodhimtarisë dhe kapaciteteve prodhuese në Kosovë.

“Kemi filluar nga adresimi i obligimeve të trashëguara ndaj fermerëve që ishin rreth 40 milionë euro, dhe e kemi rritur buxhetin për bujqësi.  Dy javë më parë, me ministrin e financave punës dhe Transfereve , lansuam bashkë masat për investimin në shtim të prodhimtarisë dhe kapaciteteve prodhuese”, tha Kurti.

Tutje, ai shtoi se krahas buxhetit të ri dhe të rritur me zero obligime financiare karshi fermerëve, Kosova vitin e ri do ta fillojë me strategji 7 vjeçare për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe me strategji 10 vjeçare për pylltari.

“Pra, buxhet më të madh dhe orientim afatgjatë me kritere të qarta dhe transparente për të gjithë”, u shpreh Kurti.

Gjithashtu, Kurti njoftoi se Ministria e Bujqësisë tashmë ka aplikuar për grant prej 20 milionë eurove në Programin Botëror për Bujqësi Botërore dhe Siguri Ushqimore.

“Nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë kemi aplikuar në Programin Botëror për Bujqësi Botërore dhe Siguri Ushqimore për grantin prej 20 milionë eurosh, për mbështetje për fermerët e vegjël. Pra, buxhet mbi 100 milionë euro, strategji afatgjate, lehtësi të shërbimeve të subvencionuara dhe treg e transparencë”, ka thënë ai.

Kurti në fund ka treguar se janë ndarë 10 milionë euro për rezerva shtetërore.

“Do t’i kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore që mund të mbushen me prodhime vendore”, ka përfunduar Kurti. /Buletini Ekonomik/