Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se në bazë të masës 2.1.2 do të mbështesin bizneset që janë në pronësi të grave në Kosovë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook ai ka thënë se të gjitha gratë që kanë në pronësi biznese, dhe që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë investive deri në 20% të kryegjësë, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.
Sipas tij, pagesa subvencionit do të ketë kriteret e njëjta sikurse mbështetja për prodhuesit, ku 15% subvencionohet me rastin kur 70% e kredisë investive është disbursuar, si dhe 5% subvencionohet me rastin kur shuma ekuivalente është paguar në paga për të punësuarit e rinj (pas zgjerimit të kapaciteteve).
Ndërkohë ai shtoi se përveç bizneseve të grave, përkrahje nga ana e Qeverisë do të kenë edhe bizneset që kanë nevojë për likuiditet.
Ai tha se të gjitha bizneset që kanë nevojë për likuiditet, që të vazhdojnë operimin dhe të mbajnë punëtorët në punë, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë që marrin për nevoja të likuiditetit.
Në kuadër të kësaj, ai shtoi se subvencionimi do të jetë i kufizuar në 10% të kryegjësë, por jo më shumë se 300 euro për punëtor apo 30,000 euro në total
“Javën që shkoi, bashkë me Kryeministrin prezantuam pakon mbështetëse për prodhuesit tanë, ku në kuadër të Masës 2.1. të gjithë prodhuesit që dëshirojnë të zgjerojnë kapacitetet prodhuese do të subvencionohen me 20% të kryegjësë së kredisë investive” ka shkruar Murati./Buletini Ekonomik/