Rendi i ri tregtar

Tregtia bëhej vetëm për qëllime efikasiteti dhe të rritjes ekonomike. Tani synohen edhe objektiva të reja, thotë Soumaya Keynes.

Gazeta The Economist u themelua në vitin 1843 për të bërë fushatë për shfuqizimin e ligjeve proteksioniste në tregtinë e misrit. Gazeta bëri thirrje për tregtinë e lirë, duke argumentuar se tarifat pasurojnë të pasurit në kurriz të të varfërve dhe se diskriminimi ndaj të huajve do të jetë i dyanshëm, duke i përkeqësuar gjërat më tepër.

Për mbi 200 vjet, ekonomistët i kanë pranuar kryesisht argumente të tilla, megjithëse disa politikanë kanë shfaqur dëshirën për ligje proteksioniste. Por pas vitit 1945, shumica e udhëheqësve në të gjithë botën kanë mbështetur tregtinë më të lirë. Duke u mbështetur në idenë se tregjet më të hapura promovojnë risinë, konkurrencën dhe rritjen, u themelua së pari Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT), në vitin 1948, dhe më pas GATT u transformua në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), në vitin 1995.

Reklama e sponzorizuar

OBT ishte një arritje vërtet e jashtëzakonshme. Për herë të parë, dhe pothuajse në mënyrë unike për institucionet ndërkombëtare – sistemi përfshinte zgjidhjen e detyrueshme të mosmarrëveshjeve, në mënyrë që viktimat të mund të fitonin dëmshpërblim. Shtetet e mëdha nuk mund të ushtronin më ndikimin e tyre, duke dëmtuar të tjerët pa pasoja. Besimi në këtë institucion të ri ishte aq i madh, saqë kur u bashkua edhe Kina në vitin 2001, shumë vende në Perëndim shpresonin se kjo do të çonte në një konvergjencë ekonomike dhe politike me demokracitë e pasura.

Brenda sistemit të bazuar në rregulla u lejuan disa përjashtime, por ato u kontrolluan me kujdes. Një përjashtim për sigurinë kombëtare u miratua në mënyrë të kursyer, pasi me të mund të abuzohej lehtësisht. Mbrojtja e mjedisit u lejua si justifikim për disa kufizime tregtare, por vetëm kur ishte absolutisht e nevojshme.

Lobistët që ankoheshin për konkurrencën e pandershme u denoncuan si proteksionistë nga ata që i shihnin diferencat e kostos si forma legjitime avantazhi. Në të vërtetë, integrimi ekonomik u pa si një mënyrë për të ndihmuar në arritjen e këtyre qëllimeve të tjera. Jo vetëm që ekonomitë do të përfitonin nga ndërlidhja, por rritja më e shpejtë do të nënkuptonte standarde më të larta mjedisore dhe të punës.

E gjithë kjo përkthehet në tarifa përgjithësisht më të ulëta. Midis viteve 1990 dhe 2017, tarifa mesatare globale e ponderuar, e aplikuar sipas rregullave të OBT-së, ra me 4.2%. Rënia ishte më e madhe në vendet më të varfra: në të njëjtën periudhë, tarifat e Kinës ranë me 28%, ato të Indisë me 51% dhe të Brazilit me 10%. Kjo gjithashtu nxiti një shtytje për marrëveshje tregtare dypalëshe dhe rajonale, të cilat u zgjeruan nga rreth 50 në fillim të viteve 1990, dhe në 300 në vitin 2019.

Ky sistem mbështeti rritjen e tregtisë globale si pjesë e prodhimit bruto, nga rreth 30% në fillim të viteve 1970, në 60% në fillim të viteve 2010. Gjatë së njëjtës periudhë, zinxhirët kompleksë të furnizimit global u rritën nga rreth 37%, në 50% të tregtisë totale. Rënia e kostove të transportit nxiti tregtinë ndërkombëtare.

Por atë e nxiti edhe stabiliteti. Pasi Kina u bashkua me OBT-në, një studim nga Kyle Handley i Universitetit të Kalifornisë, në San Diego dhe Nuno Limão i Universitetit Maryland, zbuloi se ulja e pasigurisë ishte përgjegjëse për rreth një të tretën e rritjes së eksporteve kineze midis viteve 2000 dhe 2005.

Siç parashikuan edhe aktivistët e hershëm, tregtia e lirë ka sjellë standarde më të larta jetese. Një raport i Bankës Botërore në vitin 2019, arriti në përfundimin se një rritje prej 1% e pjesëmarrjes në zinxhirët globalë të vlerës, lidhet me një rritje të të ardhurave për frymë prej më shumë se 1%, në planin afatgjatë.

Një studim nga Douglas Irwin në Dartmouth College, zbuloi se vendet e varfra që liberalizuan tregtinë, arritën një rritje ekonomike më të madhe prej 1-1.5%, dhe pas një dekade, kjo vlerë shkoi në 10-20%. Komisioni i Tregtisë Ndërkombëtare i Shteteve të Bashkuara, agjenci e pavarur qeveritare, parashikon se marrëveshjet tregtare dypalëshe dhe rajonale të Amerikës, i kanë rritur të ardhurat reale me 0.6%.

Zgjerim dhe mbrojtje

Disa lëvizje drejt liberalizimit të mëtejshëm kanë vazhduar. Në nëntor 2020, 15 vende në rajonin Azi-Paqësor, nënshkruan Partneritetin Ekonomik Rajonal Gjithëpërfshirës, blloku më i madh tregtar në botë. Tregtimi në Zonën e Lirë Afrikane Kontinentale, një marrëveshje e ratifikuar nga 38 vende, filloi më 1 janar të këtij viti. Britania pas Brexit po përpiqet të mbulojë 80% të tregtisë së saj me marrëveshje preferenciale, pas ngritjes së barrierave të reja tregtare me fqinjin e saj më të ngushtë, Bashkimin Europian. Amerika dhe BE-ja po diskutojnë standardet e përbashkëta ndërkombëtare për ekonominë dixhitale.

Megjithatë, dëshira për tregti më të lirë nuk është si më parë. Nuk ka pasur një raund të përgjithshëm liberalizimi që nga mesi i viteve 1990. Marrëveshjet e reja gjithashtu janë ngadalësuar. Pjesërisht kjo është për shkak të një perceptimi të përhapur se ideologjia e tregtisë së lirë nuk ka arritur të përmbushë premtimet e saj.

Në vendet e pasura, politikanët janë përballur me reagime të ashpra kundër marrëveshjeve tregtare dhe me ankesa se liberalizimi ka krijuar humbës dhe fitues, duke krijuar disavantazhe për shumë punëtorë. Presidenti Donald Trump refuzoi një sistem të tillë tregtar. Edhe pse administrata e Biden nuk bën më kërcënime me tarifa, shumë njerëz mendojnë se Amerika mund të zgjedhë përsëri një proteksionist si Trump.

Ndërkohë OBT-ja përballet me pengesa. Shumë besojnë se Kina mori shumicën e përfitimeve që i ishin premtuar pa ofruar mjaftueshëm në këmbim. Rregullat në një grup me 164 anëtarë është bërë e pamundur të përditësohen sepse nuk mund të bien të gjithë dakord. Dhe sistemi që synon të ndalojë mosmarrëveshjet tregtare që dalin jashtë kontrollit, duket se nuk po funksionon më. Pandemia e Covid-19 ka treguar se sa shpejt nacionalizmi i skajshëm mund të dëmtojë zinxhirët globalë të furnizimit. Mbi dy të tretat e vendeve që aplikuan kontrolle eksporti për pajisjet mjekësore në vitin 2020, i ruajtën këto kufizime deri në gusht 2021.

Pavarësisht përqafimit të tregtisë së lirë në kohën e pasluftës, mbështetja politike për të duket se mbështetet në themele mjaft të brishta. Kjo mund të rrezikojë rritjen ekonomike. Sipas një studimi, pasiguria e lidhur me luftërat tregtare të zotit Trump, mund të ketë ndrydhur rritjen globale me 0.75% në vitin 2019. Një parashikim nga FMN-ja zbuloi se një tarifë prej 10% do të tkurrte prodhimin global me rreth 1% pas tre vjetësh, dhe me 1.5% nëse shtohen edhe humbjet e produktivitetit nga mbrojtja e firmave joefikase.

Ndërsa tregtia më e lirë humbet popullaritetin, janë caktuar prioritete të tjera. Ka pasur aq shumë vëmendje në çështjen e liberalizimit dhe përfitimet e tij, saqë, me kalimin e kohës, “negociatat tregtare u bënë tejet të ndërlikuara”, thotë Ngozi Okonjo-Iweala, drejtoresha e përgjithshme e OBT-së. Tani, ajo vëren se po rikthehen qëllimet jotregtare që kishin humbur në kauzën e liberalizimit më të madh. Në mënyrë që sistemi i hapur tregtar t’u mbijetojë ndryshimeve aktuale, fillimisht duhen riparuar dëmet e shkaktuara nga largimi i Amerikës nga sistemi tregtar multilateral, të cilin ajo u përpoq aq shumë ta krijonte.