Javët e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum. Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.
Gjatë këtij muaji, një litër vaj ushqimor kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.54 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.42 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.57 euro nga 1.95 euro.
Me inflacion kuptojmë rritjen e vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm te çmimeve.
Nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.
Në vend të parë qëndron Serbia me normë të inflacionit prej 5.7 për qind, ndërsa në vend të tretë është Bullgaria me një inflacion prej 4.8 për qind.
Maqedonia e veriut është e katërta me 3.7 për qind, ndjekur nga Kroacia me 3.3 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 3 për qind.
Listën e vendeve e me normën më të lartë të rritjes së çmimeve e mbyll Mali i Zi dhe Shqipëria me 2.9 për qind përkatësisht 2.5 për qind.
Në muajin shtator, inflacioni në vendet e Bashkimit Evropian ishte 3.6 për qind, kurse në Eurozonë kjo normë ishte 3.4 për qind.
Pa rritjes së çmimeve në Kosovë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) thotë se kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Po ashtu, kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë. Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka theksuar se rritja e këtyre çmimeve është e ndikuar botërisht, gjë që po ndikon në ngritjen e tyre edhe në vend.
“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit botëror më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9 për qind, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”, kishte shkruar Kurti.
Ai ka treguar se ditëve në vijim do të ketë pako të masave për t’i ndihmuar qytetarët.
E përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore në Kosovë, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. E për këtë gjë qytetarët që ngrohen me rrymë thonë që do ta kenë shumë të vështirë pasi që, do t’iu duhet që ta ndërrojnë komplet sistemin e ngrohjes, nga ajo me rrymë ta bëjnë me lëndë tjera djegëse, sepse nuk mund t’i përballojnë kostot.