Gjermania aktualisht po përballet me normat më të larta të inflacionit prej dekadash, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.
Nga energjia dhe ushqimi, te letra dhe qiraja, çmimet në Gjermani dhe në mbarë Evropën janë rritur, shkruan Euronws, përcjell Telegrafi.
Të dhënat më të fundit e vendosin inflacionin në ekonominë më të madhe të Evropës në 5 për qind nga viti në vit, niveli më i lartë në 30 vjetët e fundit.
Gazeta Bild fajëson Bankën Qendrore Evropiane për “dështim për të ndalur rritjen e çmimeve dhe shtim të problemit me politikën jo efikase që ka sa i përket parasë”.
Bild i kishte vënë nofkën paraardhësit të Christine Lagarde, Mario Draghi si “Draghila” duke e krahasuar atë me një vampir që “thith llogaritë deri në pikën e fundit”.
Disa raporte të fundit e cilësuan shefen e BQE-së si “Madame Inflation”, duke thënë se ajo “vesh rroba Chanel”, por “tall me fatin e pensionistëve dhe punëtorëve”.
Çmimet e energjisë në të gjithë Evropën u rritën me më shumë se 17 për qind gjatë shtatorit të këtij viti.