Këshilli i ministrave ka miratuar dy marrëveshje, që pritet të firmosen në mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë ditën e premte.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për marrjen e lejes së qëndrimit dhe të punës, si dhe për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të dyja vendet.
”Sot miratuam një nga marrëveshjet që do nënshkruajmë në mbledhjen e përbashkët me Kosovën, marrëveshje që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Do të marrim thjeshtë me një aplikim dhe pa dokumente lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit do jetë edhe leja e punës dhe është lajmi i mirë edhe për shqiptarët në Kosovës që do marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura të lehtësuar nga sa janë sot”, deklaroi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
“Sot prezantojnë një marrëveshje që do nënshkruhet me Kosovës me mbrojtjen sociale të shqiptarëve për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja është për të siguruar një trajtim të barabartë të punësuarve që do i njihen kontributet e sigurimit në të dyja vendet. Marrëveshja do të njoh të gjitha periudhat e sigurimeve”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Abetarja, e unifikuar në të gjitha shkollat e vendit
Teksti i Abetares do të jetë i unifikuar në të gjithë shkollat e vendit, deklaroi ministrja e Arsimit Evis Kushi.
“Morëm një vendim të rëndësishëm që lidhet me përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit ët abetares. Në arsimin parauniversitar, për çdo lëndë kemi tekste alternative dhe mësuesit në çdo shkollë mblidhen dhe zgjedhin një nga tekstet e miratuara. Kemi vendos të përjashtohet kjo procedurë teksti i abetares. Kjo na ndihmon të kemi një qasje dhe metodologji të njëjtë kudo. Ne do punojmë për këtë projekt, një gjuhë një abetare dhe në fillim të vitit shkollor 2022-2023, të gjithë vogëlushët të kenë të njëjtën abetare”.