Szunyog: Kosova në asnjë mënyrë nuk ka mundësi të ndërtojë një termocentral me qymyr

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se në asnjë mënyrë Kosova nuk ka mundësi të ndërtojë një termocentral me qymyr. Kështu tha Szunyog të enjten në Interaktiv, ku ndër shumë tema foli edhe për krizën energjetike.

‘Me lejo ta them troç, në asnjë mënyrë Kosova nuk ka mundësi të ndërtojë një termocentral me qymyr për shkak se thjesht nuk ka asnjë institucion që do të mundësojë investimin në një termocentral të tillë dhe parimisht dy termocentralet ekzistuese që gjenden aty, njëri është 70 e kusur vjeç i vjetër dhe tjetri 40-50 vjeç. Prandaj në asnjë mënyrë nuk mund të krijosh një sistem me energji të qëndrueshme në këtë mënyrë’, tha Szunyog.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se nga qeveria e Kosovës presin draftimin e sa më të shpejtë të strategjisë së energjisë për të paktën 10 vitet e ardhshme.

Reklama e sponzorizuar

‘Kanë filluar ta draftojnë një marrëveshje të tillë dhe ne duam të shohim se si Kosova kalon nga ekonomia që ka për bazë qymyrin në një ekonomi ‘’të gjelbër’’’, ka thënë Szunyog.

E në lidhje me gazin, Szunyog tha se i njejti mund të konsiderohet si një nga opcionet, dhe që ky burim është shumë më pak ndotës krahasuar me qymyrin.

‘Parimisht nuk po i themi Qeverisë së Kosovës që ta bëjë këtë gjë ose atë tjetrën, porse Kosova duhet të kalojë prej qymyrit në një burim tjetër. Duhet që gjithashtu të bëhet promovimi i alternativave të tjera të energjisë, si për shembull energjia solare apo era’, tha Szunyog, ndërsa shtoi se rëndësi e veçantë duhet ti kushtohet efikasitetit të energjisë.

Shefi i Zyrës së BE-së tha se marrëveshja e gjelbër për Ballkanin Perëndimor është ndër synimet më të rëndësishme, dhe se pret më shumë përkushtim nga Kosova për të ardhur atje.