Taksa e karbonit përkthehet “hyp se të vrava, zbrit se të vrava” për Kosovën

Mehmet Gjata

Nëse analizohet më seriozisht paralajmërimi nga BE-ja se deri në 2025 vendet e Ballkanit Perëndimor do të obligohen që të prezantojnë një çmim të karbonit që do të thotë duhet vendos një taksë për karbonin, në vendet që kanë qymyrin burimin kryesor për prodhimin e energjisë ekektrike, siç është Kosova, dhe plus janë shumë të varfëra nga aspekti financiar, atëherë shihet sa pikëpamje zhgënjyese dhe dekurajuese është kjo taksë e paralajmëruar.

Mehmet GJATA

Një lajm i publikuar më 23-24 nëntor të këtij viti, ne mediet kosovare, duhet të jetë mëse shqetësues për Kosovën, veçmas për vendimmarrësit e përzgjedhjes së burimeve energjetike deri më 2050-n. Bëhet fjalë për informatën e ardhur nga qarqe zyrtare të BE-së dhe goxha kompetente se “vendet e Ballkanit Perëndimor do të obligohen që të prezantojnë një çmim të karbonit deri në 2025” këtë e ka thënë Janez Kopac, drejtori në largim i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë të BE-së.

Reklama e sponzorizuar

Kopac ka nënvizuar se Mbledhja e Këshillit të ministrave të Komunitetit të Energjisë do të mbahet në Beograd më 30 nëntor dhe ka deklaruar se shumë direktiva të Bashkimit Evropian do të adoptoheshin, duke përfshirë edhe ato të politikës së energjisë dhe klimës, burimeve të ripërtëritshme të energjisë, dhe efiçiencës së energjisë.

“Dokumenti, që duhet të adoptohet në takim, parashikon edhe prezantimin e taksës së karbonit jo më vonë se sa në vitin 2025”, ka thënë Kopac për medien e jashtme pas Forumit të Parlamentit të Komunitetit të Energjisë në Beograd.

Për më tepër, drejtori në largim i Komunitetit të Energjisë ka vlerësuar se çmimi i karbonit është mënyra më e mirë dhe praktikisht e vetmja që ekonomia, energjia, dhe sektorë të tjerë drejt përdorimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe implementimit të masave të efiçiencës së energjisë. Ai ka nënvizuar se taksa do të sillte të ardhura që mund të përdoren për tranzicionin energjetik dhe për të financuar shndërrimin e rajoneve të thëngjillit. Kopac poashtu tha se futja e taksës së karbonit në nivel kobëtar është zgjidhje më e mirë se sa taksa kufitare e karbonit (Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit – CBAM) i deklaruar nga BE për 2026.

Në rastin e parë, paratë e paguara për taksën do të mbeteshin në vendet që kanë prezantuar taksën e karbonit, ndërkaq në rastin e dytë të taksës ndërkufitare, paratë e tatuara do të shkonin në buxhetin e Bashkimit Evropian. Nëse shihet teksti nga ana teorike, del në pah vetëm pozitiviteti, ana e mirë e taksës së karbonit. Por, nëse analizohet më thellë, më seriozisht në vendet që kanë qymyrin burimin kryesor për prodhimin e energjisë ekektrike, siç është Kosova, dhe plus janë shumë të varfëra nga aspekti financiar, atëherë shihet sa pikëpamje zhgënjyese dhe dekurajuese është kjo taksë e paralajmëruar.

Në Kosovë, nuk është se nuk është ditur për kërcënimet që i vijnë vendit tonë nga taksa e karbonit. Buletini Ekonomik, ka afro dy muaj që ka përcjellë përmes një analize më të gjatë dhe përmes pikëpamjeve të ekspertëve ka trajtuar çështjen e paralajmërimit për vënien e taksës së karbonit nga BE-ja për të gjithë përdoruesit e qymyrit si burim elektroenergjetik, qoftë edhe në periudhën e tranzicionit të kalimit në energjinë e ripërtëritshme deri më 2050-n.

Luigj Ymeri, drejtor operativ në KEK dhe një njohës i mirë i rrjedhave energjetike jo vetëm në vend, ishte shprehur për Buletinin Ekonomik se “ne si Kosovë realisht e kemi humbur hapin në arritjen e synimeve tona për zhvillimin energjetik”.

“Strategjitë tona nuk janë implementuar si duhet. Dhe për pasojë për shumë vite po na zgjatet tranzicioni i zhvillimeve energjetike”, tha ai.

“Nuk jemi naiv për t’i kuptuar trendet e zhvillimit botëror të energjisë, por detyrë e jona profesioniste dhe intelektuale është të bëjmë vlerësimin e saktë të nevojave dhe burimeve energjetike të vendit, pastaj të ofrojmë alternativat më të mira dhe më optimale të mundshme për të pasur energji. Dihet se të ne nuk ka shumë mundësi për ndonjë kapacitet të madh nga turbinat me erë, pasi që në Kosovë nuk ka shumë erë dhe nuk ka shumë vende ku mund të instalohen turbinat e erës. Panelet solare në përmasa të efektshme do të rrezikonin tokën edhe ashtu të paktë të bukës. Mbetet pra qymyri, që e kemi të bollshëm dhe me rezerva impozante. Dhe pikërisht këtë resurs që na e ka dhuruar aq begatshëm natyra nuk e kemi përdorë mirë, kujdesshëm, sidomos në aspektin e ruajtjes së ambientit”, ka thënë tutje Ymeri për Bultetin Ekonomik.

Rreth 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë është nga qymyri. Ndërkohë që politika evropiane, ato të asociacioneve kompetente dhe vendimmarrëse janë shumë të egra, të ashpra dhe kjo doemos na vë në pozitë të disfavorshme karshi synimeve zhvillimore për të pasur edhe ne energji të mjafteshme. Por deri më 2050, kur më nuk do të ketë energji nga qymyri, i kemi dy faza. Duhet të bindim vendimmarrësit se nuk jemi dhe nuk kemi qenë asnjëherë kundër energjisë së rinovueshme. Përkundrazi, me potencialet natyrore tona për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë solare dhe asaj të erës, nuk ka mundësi të plotësohen nevojat kosovare për rrymë. Prandaj mbetet thuaja si alternativë e domosdoshme qymyri, së paku deri më 2050, si burim kryesor energjetik te ne, sado që në Evropë, në qarqet vendimmarrëse të BE-së askush nuk do të dëgjojë edhe tani për qymyr si alternativë e prodhimit të energisë elektrike. Dhe ne nuk kemi alternativë tjetër pos qymyrit, për t’u ofruar qytetarëve të Kosovës furnizim stabil me rrymë dhe me kosto të pranueshme.

Alternativë e domosdoshme, e zorit, pra mbetet ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik në bazë të qymyrit, ose rivitalizimi -rindërtimi i tre blloqeve të Kosovës A (A3, A4 dhe A5) që ende janë në funksion dhe duke prodhuar, madje 35 për qind të energjisë elektrike të Kosovës. Por Ymeri, si një nga vështirësitë serioze, madje si kërcënim të rindërtimit të A-së në rrugën drejt rindërtimit, e sheh taksën e karbonit që do ta vendosë BE-ja dhe që është shumë e madhe, ose që apostrofohet të jetë diku sa çmimi i kostos së prodhimit të një megavati dhe ndoshta edhe më shumë se kaq. Po kështu edhe taksa vendore, e brendshme pra, do të jetë një nga pengesat jo të vogla për sendërtimin e këtij projekti.

Në kontekstin e zhvillimeve të pritshme energjetike në vend edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij është shumë e angazhuar në sektorin e energjisë, dhe se gabimet eventuale në këtë sektor mund të jenë shumë të mëdha. Ai tha publikisht, megjithatë se burimet e ripërtëritshme nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e ngarkesës bazë të Kosovës në të ardhmen e afërt, duke shtuar se Kosova në mandatin e parë të Vetëvendosjes sërish do të varet kryesisht nga thëngjilli. Pak a shumë, kështu rezonojnë edhe njerëz të tjerë të politikës kosovare, por edhe ekspertët tanë.

Në kontekstin e këtyre zhvillimeve, merre kah ta marrësh, Kosova del e goditur goxha ashpër, del edhe e humbur. Sepse, po të bëhesh “i dëgjueshëm” kushtimisht për kërkesat e BE-së për të mos pasur kapacitete të reja energjetike dhe sanksioneve të paralajmëruara dhe të rënda financiare, duhet blerë energji super të shtrenjtë dhe për këtë Kosovës i mungojnë paratë. Mirëpo, edhe nëse rrebelohet Kosova për këtë vendim aq goditës për zhvillimet energjetike kosovare dhe refuzon kërkesën e BE-së për të flakur përdorimin e qymyrit në vitet në vijim deri më 2050-n, prap goditet nga “shkopi’ evropian, që në këtë rast është taksa e qymyrit. Dhe kjo taksë mund të jetë shumë e kushtueshme, madje aq sa mund ta gjunjëzojë financiarisht Kosovën.

Prandaj, shtrohet pyetja se çka të bëhet në këtë ndërkohë dhe si të veprojë Kosova lidhur me pozitën që ngjason sikur të gjendesh ndërmjet “hurdhës dhe çekanit”, apo siç thotë aforizma popullore “hyp se të vrava, zbrit se të vrava”. Do të ishte mençuri po të gjindej zgjidhja te përqëndrimi kosovar sa më shpejtë që është e mundur për ta pasur fokus kryesor dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë, duke rritur vrullshëm ndërtimet në energjinë e ripërtëritshme, që nënkupton duke rritur shumë investimet në zhvillimet energjetike dhe njëkohësisht të gjendet një modus, ku deri më 2045-2050, të përdorë termocentralet në bazë të qymyrit pa “lënduar’ edhe aq shumë komunitetin ndërkombëtar me në krye BE-në.

“Vizioni që na udhëheq gjatë hartimit të Strategjisë energjetike është rruga afatgjatë drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, ndërkohë që ne ruajmë sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë për konsumatorët, rrisim përdorimin e energjisë së pastër, dhe sigurojmë integrim rajonal të energjisë në mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme”, tha këto ditë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Nëse këto premtime përmbushen, nuk ka dilemë se Kosova do t’ia dalë edhe kësaj radhe dhe do të përballet suksesshëm edhe me këtë sfidë. Asnjëherë nuk janë mbyllur të gjitha dyert. Nuk ka pse të mbyllen për Kosovën e varfër as kësaj radhe. /Buletini Ekonomik/