Të vërteta të pakëndshme për gazin

Gazprom

Është tunduese të fajësosh të huajt për krizën e gazit në Europë. Fajtori kryesor është më pranë shtëpisë

“Rusia është një vend arinjsh, jo një vend që toleron bullizmin”. Kështu tha me shaka Sergei Ryabkov, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, duke folur për krizën në tregun europian të gazit natyror. Rusia dëshiron qëndrueshmëri dhe çmime më të ulëta, jo rritjen e çmimeve, këmbënguli ai: “Ne do të parapëlqenim të kishim një treg konkurrues”, shkruan The Economist.

Rusia po i përgjigjet një akuze që po qarkullon nëpër Europë, sipas së cilës, Gazprom, firma gjigante energjetike e kontrolluar nga shteti, që është edhe furnizuesi më i madh në kontinent, ka nxitur krizën energjetike të kontinentit, duke ndaluar eksportet e gazit natyror.

Reklama e sponzorizuar

Parlamentarët europianë po kërkojnë që Gazprom të hetohet për faktin se nuk ka dërguar më shumë gaz, duke ngritur dyshime se po e bën një gjë të tillë si dredhi për të siguruar miratimin rregullator për tubacionin Nord Stream 2, i cili është projektuar për të transportuar gaz nga Rusia në Gjermani.

Europa është zhytur vërtet në një krizë energjetike. Çmimi i gazit natyror është rritur në të gjithë kontinentin. Kjo ka shkaktuar panik në Britani, ku qeveria tani po mendon të ofrojë subvencione dhe mbështetje të tjera shtetërore për kompanitë e prodhimit të çelikut, kimikateve dhe prodhues të tjerë. Më 12 tetor, kompania gjermane e energjisë, E.ON, ndërmori një hap të jashtëzakonshëm, duke pezulluar kontratat e reja të furnizimit me gaz për klientët rezidencialë.

Më keq akoma, duket se kontinenti po shkon drejt një dimri të zymtë me mungesa të mëdha të gazit dhe energjisë. Matt Drinkwater nga Argus Media, vëren se dimri mund të jetë veçanërisht i ashpër, jo vetëm në Europën Veriperëndimore, por edhe në Azinë Verilindore dhe Amerikën e Veriut, gjë që do të ndizte më tej konkurrencën globale për energji.

Rezervat europiane të gazit natyror ishin mbi mesataren pesëvjeçare në fillim të vitit 2021, por për shkak të një dimri të gjatë, të kombinuar me prodhim më të ulët në Norvegji dhe Britani (pjesërisht për shkak të ngërçeve të lidhura me pandeminë), rezervat tani janë në nivele shqetësuese. Edward Morse nga Citigroup, një bankë amerikane, parashikon që, nëse ky dimër do të jetë shumë i ashpër, atëherë ka mundësi që rezervat e gazit të mbarojnë.

Ndërrimi i karburantit ishte një opsion në të kaluarën, por kjo gjë është e vështirë tani. Për shembull, aktivizmi i gjelbër ka penguar zhvillimin e energjisë bërthamore në Europë. James Huckstepp nga firma kërkimore S&P Global Platts Analytics, vëren se rajoni “nuk mund të përdorë sërish fabrikat e qymyrit, sepse disa prej tyre janë mbyllur dhe pjesa tjetër është bërë jotërheqëse për shkak të politikave të karbonit”. Dhe për shkak të nivelit të ulët të erës dhe rezervave të varfra hidroelektrike në disa pjesë të Europës, energjia e rinovueshme nuk është ende një zëvendësim i besueshëm i gazit.

Përdorimi i një sasie më të pakët gazi, do të jetë i vështirë, të paktën në një periudhë afatshkurtër. Por a është e mundur që Europa të marrë më shumë gaz? Një zgjidhje është që të nxitet Rusia për të eksportuar më shumë gaz.

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, kohët e fundit lavdëroi Norvegjinë për ndihmën e dhënë në krizën e gazit, por qortoi Kremlinin, duke thënë: “Nuk mund të themi të njëjtën gjë për Rusinë”. Por analistët thonë se gjiganti i gazit këtë vit po eksporton më shumë gaz në Europë, sesa para pandemisë, dhe klientët e tij kontinentalë kanë konfirmuar se ai po i përmbush detyrimet kontraktuale. Ka pak prova të forta që tregojnë se Rusia është një faktor i madh në krizën aktuale të gazit në Europë.

Një mënyrë tjetër për të rritur furnizimin do të ishte rritja e importeve të gazit natyror të lëngshëm (GNL) me anije. Gjatë dy dekadave të fundit, strategjia e Europës për të ulur varësinë nga Gazprom, çoi në rritjen e investimeve të mëdha në GNL, të cilat tani janë përgjegjëse për rreth 20% të gazit të kontinentit. Kur tregu global i gazit ishte i furnizuar mirë disa vjet më parë, Europa gëzonte çmime të ulëta gazi, falë aksesit në rezervat e tepërta. Por rritja e papritur e kërkesës globale për gaz, ka çuar në mosmarrëveshje të forta për të siguruar GNL.

Për këtë arsye, Europa tani e drejton gishtin drejt një tjetër fajtori. Zoti Morse vëren “një prirje midis zyrtarëve europianë për të fajësuar Kinën”. Importet e GNL-së janë rritur në rajonin e Paqësorit. Kohët e fundit, importet kontinentale janë rritur me 25%.

Anijet e transportit nga Amerika dhe Lindja e Mesme po i shmangin portet europiane, duke u joshur më tepër nga çmimet e larta të ofruar nga blerësit aziatikë. Avantazhi i tyre kryesor është mbështetja e shtetit. Në Kinë, shqetësimet mbi sigurinë energjetike i kanë shtyrë zyrtarët të sigurojnë “me çdo kusht” furnizime të bollshme për në dimër.

Avantazhi tjetër që kanë ata, shpjegon Michael Stoppard, nga IHS Markit, një shoqëri kërkimore, është se shumica e gazit aziatik ende sigurohet me kontrata afatgjata të lidhura me çmimin e naftës – një praktikë që Europa e braktisi pasi liberalizoi tregjet e gazit.

Duke qenë se blerësit aziatikë janë të mbrojtur, ata ndihen më të sigurt se homologët europianë të ekspozuar ndaj çmimeve të sotme stratosferike. Zoti Putin e ka përqeshur veprimin e Europës për të përqafuar çmimet e “bazuara në treg” për gazin, si vepër e disa “tipave të zgjuar” në Komisionin Europian, dhe tha se Gazprom do të jetë gati të rikthejë kontratat e modës së vjetër mbi naftën.

Si përfundim, nuk mund të fajësohet dot një element i vetëm për krizën e gazit në Europë. Ekziston një shpjegim tjetër i besueshëm: nxitimi i kontinentit për të dekarbonizuar sistemin energjetik. Zoti Morse argumenton se udhëheqësit e Europës po përpiqen të fshehin krizën e parë të tranzicionit të energjisë.

Ndërsa largohet nga lëndët fosile dhe energjia bërthamore dhe përqafon energjitë e rinovueshme, rajoni nuk e ka përballuar siç duhet nevojën për energji. Edhe Amerika ka probleme të tilla, por ajo është më e pavarur në sigurimin e energjisë. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Europën.