Sa shpejt u hap kjo faqe për ju?
Përgjigjja varet nga pajisja që po përdorni dhe se në cilin vend jetoni. Shpejtësia mesatare e internetit ndryshon shumë nga njëri vend në tjetrin.
Cilat vende kanë lidhjen më të shpejtë të internetit? Duke përdorur të dhënat e Cable.co.uk (për 12 muajt e fundit, deri në qershor 2021), harta tregon vendet me shpejtësinë e internetit më të lartë (dhe më të ngadaltë) në botë, duke krahasuar shpejtësitë fikse me brez të gjerë në më shumë se 200 vende.
Cilët faktorë ndikojnë në shpejtësinë e internetit?
Është e rëndësishme të kuptojmë faktorët kyç që ndikojnë në shpejtësinë e internetit të një vendi. Në përgjithësi, shpejtësia e internetit varet nga:
1. Infrastruktura ose lloji i kabllove (prej bakri ose në fibra optike) që përdor një vend për të mbështetur shërbimin e vet të internetit. Në përgjithësi, sa më e re të jetë infrastruktura, aq më e shpejtë është lidhja.
2. Afërsia / lidhja me kabllo nënujore është e rëndësishme, pasi këto kabllo të mëdha nënujore në fibra optike transmetojnë rreth 97% të të dhënave të komunikimit në botë.
3. Madhësia e një vendi, duke qenë se sipërfaqja tokësore ndikon në koston e përmirësimit të infrastrukturës. Sa më i vogël të jetë vendi, aq më ekonomik është përmirësimi i sistemeve të kabllove.
4. Investimet bëjnë diferencën, ose sa përparësi i qeveria e një vendi aksesit në internet.
Natyrisht, ka edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shpejtësinë e internetit të një vendi, si rregulloret e qeverisë ose frenimi i qëllimshëm i gjerësisë së brezit, si në rastin e vendeve si Turkmenistani.
Renditja / Shpejtësia e brezit të gjerë fiks
Për të matur shpejtësitë fikse të brezit të gjerë në botë, Cable.co.uk përdori më shumë se 1.1 miliardë teste shpejtësie, në më shumë se 200 vende. Rajoni me lidhjen më të shpejtë është Jersey, një nga ishujt që përbëjnë Ishujt Britanikë. Shpejtësia mesatare e download (shkarkimit) është 274,27 mbps, thuajse 9 herë më shumë se mesatarja e përgjithshme.
Infrastruktura është një nga arsyet kryesore të shpejtësisë së internetit të Jersey, i cili është juridiksioni i parë në botë që përmirësoi të gjithë sistemin me fibra të pastra (FTTP). Por këtu luan rol edhe madhësia e rajonit, duke qenë se sipërfaqja dhe popullsia janë relativisht të vogla krahasuar me vendet e tjera në botë.
Në vend të dytë, një tjetër vend i vogël, Lihtenshtejni, me shpejtësi mesatare download prej 211,26 mbps. Lihtenshtejni është një nga vendet më të pasura në botë për frymë, qeveria e tij ka investuar shumë në infrastrukturën e telekomunikacionit, duke synuar që ajo të jetë tërësisht në fibra optike brenda vitit 2022.
Ashtu si Jersey, Lihtenshtejni ka popullsi relativisht të vogël. Në momentin e publikimit të këtij artikulli, në vend jetonin rreth 38.000 persona. Vlen të theksohet se nga dhjetë rajonet e para, vetëm dy kanë popullsi më shumë se 1 milion banorë: Holanda dhe Hungaria.
Në ekstremin tjetër të renditjes, Turkmenistani ka brezin e gjerë fiks më të ngadaltë, me shpejtësi 0,5 mbps. Siç thamë më sipër, kjo vjen në pjesën më të madhe për shkak të rregulloreve dhe ndërhyrjes së qeverisë.
Shpejtësia e internetit në Ballkan
Sipas të dhënave nga Cable.co.uk, Mali i Zi renditet më mirë se vendet e tjera të rajonit, me shpejtësi 40.14 Mbps, në vendin e 57-të.
Shpejtësia e internetit në Kosovë është 22.21 Mbps, duke u renditur në vendin e 81.
Shqipëria renditet në vendin e 91 me një shpejtësi mesatare shkarkimi 19.36 Mbps. Maqedonia e Veriut, e fundit në rajon, renditet në vendin e 107-të, me shpejtësi mesatare download 15.38 Mbps.
E ardhmja është 5G
Inovacioni dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë panoramën dixhitale dhe gjëra si rrjetet 5G po përhapen gjithnjë e më shumë në botë.
Për shkak të natyrës së këtij sektori që ndryshon me shpejtësi, të dhënat pas kësaj renditjeje përditësohen çdo muaj, për të ofruar panoramën e fundit të shpejtësisë së internetit në botë.