ZKA: Shpenzimet e subjekteve politike gjatë fushatave elektorale janë shqetësuese

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike janë shqyrtuar sot raportet e auditimit të raporteve vjetore financiare të partive politike, duke përfshirë edhe deklarimet financiare të fushatave elektorale për vitet 2018, 2019, 2020.

Hykmete Bjarami, kryetare e këtij Komisioni tha se shumica e raporteve të audituara jpër subjektet politika nuk janë të mira.

“Raportet në përgjithësi për të gjitha subjektet politike nuk janë të mira. Sikur të kishim pasur auditime vit pas viti, gjendja do të ishte më e mirë, pasi që nuk ka pasur auditime që nga viti 2017. Jemi të shqetësuar për këtë vonesë, pasi që kjo çështje është edhe e gjetur nga Raporti i Progresit”, është shprehur Bajrami.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, nga auditori Ymer Shatri nga kompania “Audit&Conto”, që i ka kryer këto auditime për partitë politike, është thënë se për këto tri vite të auditimit kanë dorëzuar 95 raporte të auditimit. Prej tyre, ai thotë se 21 raporte janë të pa kualifikuara ose 50 përqind e këtyre raporteve, siç tha Shatri shkojnë në mohim të opinionit.

Përkundër pohimit se ende ka shkelje të ligjit nga subjektet politike, auditori Shatri foli edhe për partitë politike që kanë shënuar progres në raportim.

“Partia politke që ka bërë progres është sidomos PDK-ja. LVV ka pasur disa ndryshime, jemi të kënaqur deri diku, me partinë tjetër më të madhe nuk jemi shumë të kënaqur. Në anën tjetër ka gjetje nga subjektet që janë shqetësuese, ku kemi hasur në shpenzime që nuk janë në harmoni me ligjin për financimin e partive politike”, deklaroi tutje ai.

Diskutime më të theksuara ishin për subjektin politik të LVV-së dhe atë të LDK-së.

Për Vetëvendosjen u tha se ani pse ka dërguar me vonesë raportin e shpenzimeve për katër komunat veriore ku kishin marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kishte raportuar vetëm 3500 euro shpenzime.

Ndërsa për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë që ishin mbajtur më 2020, LDK-ja kishte paraqitur në raport zero shpenzime.