Qarkullimi në tregtinë me pakicë të karburanteve këtë vit u rrit për 22.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar

Nafta
Fotografi ilustruese

Pas rritjes së çmimeve të karburanteve në Kosovë këtë vit, e gjithë tregtia me pakicë e karburanteve për automjete deri në muajin tetor, ka shënuar një rritje të qarkullimit prej 22.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), me titull “Statistikat Afatshkurtra të Tregtisë me Pakicë, TM3 2021”, në të cilën shpalosen shifra të qarkullimit të sektorëve me pakicë të tregtisë, thuhet se në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) të po këtij viti, sektori i cili kishte pësuar rritjen më të lartë ishte tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe atyre të argëtimit në dyqane të specializuara, e cila u rrit për 12.8 për qind.

Ndërkohë, pas kësaj pason tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara, e cila shënoi rritje prej 10.6 për qind, pastaj tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara, e cila u rrit për 8.8 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Poashtu, të dhënat e këtij raporti tregojnë se edhe tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara realizoi një rritje prej 6 për qind, ndërkohë që tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara u rrit për 5.2 për qind. Gjatë kësaj kohe, një rritje prej 1.7 e realizoi edhe tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara, ndërsa tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje u rrit për 0.2 për qind.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe kishte rënie të theksuar tek sektori i tregtisë me pakicë të pajisjeve informatike dhe të komunikimit në dyqane të specializuara, e cila ra për -10.7 për qind.

Ndërkaq, krahasuar TM3 2021 me tremujorin e tretë (TM3) të vitit paraprak, pra vitit 2020, sektorët të cilët shënuan rritje ishin ai i tregtisë me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara që shënoi rritjen më të madhe me 75.2 për qind, pastaj rritje pati edhe tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje me një përqindje prej 50.7 për qind.

Gjitashtu, një rritje u pa edhe tek tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara prej 40.3 për qind, ndërsa tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara u rrit për 24.4 për qind.

Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara për këtë periudhë u rrit për 22.5 për qind, ndërkohë që tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara realizoi një rritje prej 19.4 për qind.

Edhe tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara u rrit për 7.3 për qind gjatë kësaj periudhe, kurse tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara, pati një rritje të lehtë prej 0.4 për qind. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/