Home Lajme Kurti: Është rritur prodhimi i mjedrës, nga 20 hektarë në vitin 2011...

Kurti: Është rritur prodhimi i mjedrës, nga 20 hektarë në vitin 2011 në 1400 hektarë në 2021

Kabineti qeveritar i Kosovës

Për të përshpejtuar e ndërruar konceptin e të prodhuarit në përputhje me trendët global dhe praktikat më të mira bujqësore, Qeveria është e përkushtuar që të zbatojë standardet më të mira të mundshme në të gjithë sektorët, sikurse është bërë në sektorin e mjedrave.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e 6-të të mjedrës në Kosovë.

“Kështu e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke ju ofruar ushqime të sigurta dhe vende pune, fermerëve kushte të mira të punës, mjedisit përmirësim të vazhdueshëm, e zonave tona rurale peizazh të bukur e gjallëri”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

“Përkushtimi i prodhuesve, e ka bërë të mundshme që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në 1400 hektarë sa janë tani në vitin 2021. Nga viti 2014 deri në 2021, Kosova prodhoi afër 26,500 tonë mjedër, në vlerë prej 54 milionë euro, ku pothuajse e tëra për eksport, për në vendet e BE-së, në veçanti Gjermani. Me këtë janë krijuar afro 5000 vende pune, e është përmirësuar jeta e mijëra familjeve”, tha kryeministri.

Me temën “Tranzicioni drejt sektorit të qëndrueshëm të mjedrës në Kosovë” kryeministri Kurti diskutoi me anëtarët e  Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agro-ushqimore, të sektorit të pemëve të imëta, me pjesëmarrës nga komuniteti akademik vendor e ndërkombëtar, dhe me përfaqësuesit e CARITAS Zviceran, USAID dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar në Kosovë.

Duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe dijes, kryeministri tha se kjo e bën të mundur më mirë dhe më saktë adresimin e nevojave të shoqërisë, ndërsa tregon kulturën, kujdesin dhe durimin e prodhuesve tanë. E përtej kësaj mundëson ofrimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe atyre vendeve ku eksportohen produktet e Kosovës. /Telegrafi/