Detyrimet e kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’ ndaj policëmbajtësve, pas revokimit të licencës nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tashmë do t’i paguajë Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS).
Ata përmes një komunikate për media, kanë bërë të ditur se me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithsi – Industria e Sigurimit, në këtë rast ata vet, kanë shprehur gatishmërinë për marrjen përsipër të policave të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL) Valide, si dhe obligimet të cilat mund të rrjedhin nga policat e lëshuara të kompanisë “Kosova e Re”.
Sipas tyre, kjo marrje përsipër e detyrimeve të kësaj kompanie do të përfshijë vetëm sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit dhe poseduesit të mjetit motorik mbi dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta dhe se gjatë periudhës së validitetit të këtyre policave të sigurimit nuk do të mund të bëhet Kthimi i Primit, Anulimi i Policës / Primit, Ndërrimit të pronarit etj.
Nga BKS-ja kanë treguar se të gjitha aksidentet e shkaktuara nga të siguruarit e kompanisë “Kosova e Re” deri në shuarjen e policave më 24 tetor 2021, palët e treta të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim do të mund ta paraqesin pranë zyrës së Likuidatorit, në objektin e Kompanisë “Kosova e Re” lagja Kalabria, Blloku B1, Nr. 5 Prishtinë.
Kurse për aksidentet e ndodhura pas datës 24 tetor 2021, palët e treta mund të paraqiten për dëmshpërblim pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit në adresën Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë – Fushë Kosovë.
Kujtojmë se Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) më 24 shtator ia pati revokuar licencën kompanisë së sigurimit “Kosova e Re”, pas 11 muajve nën administrim të përkohshëm. Kjo erdhi pasi kompania nuk i kishte përmbushur për një kohë të gjatë kërkesat ligjore për kapital dhe solvencë. Detyrimet e kompanisë arritin në 7.7 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, ishte nën administrim të përkohshëm nga Banka Qendrore e Kosovës që nga 1 nëntori i vitit 2020 deri më 30 prill të 2021. Mirëpo, përkundër përpjekjeve nga BQK-ja, Bordi dhe Menaxhmenti i kompanisë ‘Kosova e Re’ nuk kishin arritur t’i përmbushin kërkesat ligjore apo të përmirësonin gjendjen financiare të kompanisë.
Më poshtë njoftimi i plotë i Byros Kosovare të Sigurimeve:
Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur më datë 24 shtator 2021, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet Licenca nr. 007 e datës 25 prill 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore.
Kompania e Sigurimit “Kosova e Re”, kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, përsa i përket mjaftueshmërisë të kapitalit dhe aftësisë paguese – solvencës. Prandaj, në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qëndrore e Kosovës, respektivisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kishte bërë vazhdimisht përpjekje për zgjidhjen e problemeve financiare të Kompanisë së Sigurimit “Kosova e Re” përkundër përpjekjeve dhe gatishmërisë së shprehur nga BQK, Bordi dhe Menaxhmenti i Kompanisë nuk kishte arritë t’i përmbushte kërkesat ligjore / apo të përmirësonte gjendjen financiare të Kompanisë – arsyeje kjo, e cila edhe u bë shkas për Revokimin e Licencës dhe si përfundim rezultoi në fillimin e Likuidimit të detyruar.
Me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithsi – Industria e Sigurimit, ka shprehur gatishmëri në marrjen përsipër të policave të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL) Valide, si dhe obligimet të cilat mund të rrjedhin nga policat e lëshuara të Kompanisë “Kosova e Re”. Pra, kjo përfshinë vetëm sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit dhe poseduesit të mjetit motorik mbi dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta dhe se gjatë periudhës së validitetit të këtyre policave të sigurimit nuk do të mund të bëhet Kthimi i Primit, Anulimi i Policës / Primit, Ndërrimit të pronarit etj.
Prandaj, të gjitha aksidentet e shkaktuara nga të siguruarit e Kompanisë “Kosova e Re” deri në shuarjen e policave ( 24 Tetor 2021) palët e treta të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim mund t’a paraqesin pranë zyrës së Likuidatorit, në objektin e Kompanisë “Kosova e Re” lagja Kalabria, Blloku B1, Nr. 5 Prishtinë, kurse për aksidentet e ndodhura pas datës (24 Tetor 2021) palët e treta mund të paraqiten për dëmshpërblim pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit në adresën Rr. Lidhja e Pejës p.n Magjistralja Prishtinë – Fushë Kosovë.
Megjithatë, për çdo paqartësi tjetër eventuale në çdo kohë Byroja Kosovare do t’ju shërbej në lidhje me informacionet e munguara duke kontaktuar Qendrën Informative. /Buletini Ekonomik/