Kryeministri Albin Kurti ka folur për media gjatë vizitës në termocentralin “Kosova B”, duke thënë se po bashkëpunojnë me Shqipërinë sa u përket nevojave për energji elektrike.
“Ne tash jemi në bllokun rregullativ me Shqipërinë, pasi kemi arritur pavarësinë energjetike dhe me Republikën e Shqipërisë më së shumti jemi në komunikim dhe bashkëpunim sa u përket nevojave të Kosovës për energji”, tha Kurti.
Për këtë bashkëpunim foli edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se po zhvillojnë bisedime me homologët shqiptarë për ndihmesë.
“Ne i kemi filluar bisedimet në të gjitha nivelet dhe këto bisedime janë intensifikuar javët e fundit, kur gjendja me energji është përkeqësuar”, tha ministrja Rizvanolli, transmeton Klankosova.tv.
“Tani këto ditë janë duke i parë mundësitë, mezi janë duke mbuluar kërkesën e vet dhe kemi premtime që në momentin që është e mundur, sadopak të na ndihmojnë në këtë krizë, ndërsa ne pastaj e shkëmbejmë në një kohë kur ata kanë nevojë, e ne kemi teprica”, u shpreh tutje Rizvanolli.