Qeveria e Republikës së Kosovës, dje ka mbajtur mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën është proceduar te presidentja e Kosovës kërkesa për autorizimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me KfW-në në vlerë të 25.5 milionë eurove për përmirësimin e rrjetit të transmisionit të KOSTT-it.
“Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro (njëzet e pesë milionë e pesëqind mijë euro)”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Sipas procedurës, përmes miratimit të rekomandimit, Qeveria i ka kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës të autorizojë Ministrin e Financave për të nënshkruar këtë marrëveshje për kredi me KfW-në, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjithashtu, dje në Komisionin për Buxhet Punë dhe Transfere, ministri Murati ka prezantuar marrëveshjen me Bankën Botërore për Projektin e Resurseve Ujore – FLOWS, në vlerë të 25 milionë eurove, i cili parasheh investime në këtë fushë në zonën e Anamoravës dhe pjesët tjera të vendit për të siguruar furnizimin me ujë.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë janë miratuar edhe disa kursime/transferime të organizatave buxhetore, që sipas Muratit do të përdoren për investime në infrastrukturë, siguri, arsim, kulturë, e fusha tjera të nevojshme. Këto kursime janë në vlerën e 37 milionë eurove. /Buletini Ekonomik/