68 mijë viza gjermane u lëshuan për dy vjet

Aplikimi për vizë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë u hap dje. Sistemi për aplikim do të jetë i hapur më shumë se dy javë ditë, nga 1 deri më 17 dhjetor 2021.

Fituesit e mundshëm për një termin për vizë do të përzgjedhen tash e tutje me short. Kjo procedurë e tërheqjes do të mbikëqyret në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin.

Kërkesat për t`u pajisur me të në Ambasadën Gjermane në Prishtinë thonë se i tejkalojnë kapacitetet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Kjo kryepërfaqësi diplomatike në vitin 2019 lëshoi më shumë se 50 mijë viza.

Vizat janë ndarë në dy kategori: viza për qëndrime afatshkurtëra (viza Schengen) dhe viza nacionale për qëndrime afatgjata ku hyjnë vizat e lëshuar për bashkim familjar, për studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punëtorë me kualifikim të lartë.

Për të parën u dhanë rreth 36 mijë viza. Për të dytën, 15 mijë sosh.

Numri i vizave të lëshuara ra gati dyfish një vit më pas, më 2020.

Shkak u bë pandemia.

Ambasada Gjermane në Prishtinë i lëshoi vetëm 18 mijë për dy kategoritë.

“Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtëra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e këtyre vizave të lëshuara kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane dhënë portalit Front Online.

Në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë nuk figurojnë akoma statistikat për vizat e lëshuara në vitin 2021.

Sociologu Bekim Selishta përmend disa faktorë që po i shtyejnë qytetarët e Kosovës të marrin rrugët e mërgimit.

“Pakënaqësitë që janë krijuar brenda vendit po e shkaktojnë këtë ikje. Jashtë Kosovës, në vendet e Evropës, qytetarët po gjejnë më shumë perspektivë. Pagat nuk janë stabile tek sektori privat. Nuk e kemi edhe sigurimin shëndetësor të punës. Atje jashtë po”, u shpreh Selishta për Front Online.

Ekonomisti Mustafë Kadriaj, në anën tjetër, thotë se kjo ikje nuk është krejt pa pasoja për fuqinë punëtore të vendit.

“Së pari është shqetësues nëse largohet fuqia punëtore nga vendi. Kjo për shkak se mund të përballemi me ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet e lindjes. Prishet demografia në vend. Përgatitja e fuqisë punëtore për një shtet tjetër është shqetësuese”, theksoi Kadriaj për Front Online.

Si pasojë, ai i rekomandon Qeverisë marrjen e një mase.

“Që të ndalohet ikja duhet ekzekutivi me kriju investime, me i orentu ato investime që të krijohet mundësi e punësimit për rininë dhe fuqinë punëtore”, u shpreh Kadriaj.

Kryeministri Albin Kurti pati premtuar se Qeverisja e tij do të angazhohet për ta bërë Kosovën një vend me perspektivë ku mund të jetohet mirë e jo prej ku iket nga dëshpërimi.

Ndryshe, Kosova vazhdon të mbetët vendi i vetëm në rajon pa liberalizim vizash, ani se i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga BE.

Franca dhe Holanda janë dy shtetet më skeptike të cilat po e bllokojnë këtë proces./Front Online