Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke diskutuar për projektet e mundshme hekurudhore që parashikojnë lidhjen hekurudhore të disa qyteteve të Kosovës me portet strategjike detare të rajonit, do të prekin edhe një territor interesant pranë Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas ministrit, territori i përmendur sipas Aliut është tokë e degraduar dhe paraqet mundësinë e përkryer për t’u bërë një port bosh dhe paraqet platformën perfekte që KEK-u të diversifikojë portofolin e prodhimit energjetik.
Sipas Aliut, ai territor i caktuar do të mbushet me panele diellore për të diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike të KEK-ut dhe për të shtuar orientimin e vendit drejt energjisë së rinovueshme.
Gjithashtu, ministri i Mjedisit theksoi se projektet hekurudhore do të jenë një shtysë e mirë për përpjekjet e vendit për të reduktuar emetimet e CO2, të cilat në masë të madhe vijnë nga sektori i transportit kryesisht nga automjetet e vjetra.
Këto komente ministri Aliu i bëri gjatë një paraqitje në programin Context në kuadër të ATV.
“Aktualisht Kosova është një ndotës jashtëzakonisht i madh për kokë banori. Ka lirim të CO2 jashtëzakonisht të madh. Në anën tjetër jemi të varur nga thëngjilli dhe transporti rrugor tokësor, autombilistik, është poashtu ndotës i madh”, tha Aliu.
“Kalimi në transportin hekurudhor do të ndihmonte Kosovën në zbutjen e emisioneve të CO2, e që është një transport i gjelbërt që jashtëzakonisht i preferuar edhe nga politikat e Bashkimit Evropian, prandaj edhe kur e prezantuam në Bruksel morrëm reagim pozitiv”, theksoi ai.
“Nyja hekurudhore është në zonën në regjion të Prishtinës pranë territorit të KEK’ut. Kemi linjën hekurudhore dhe autostradën që vije nga autostrada e Shqipërisë, kemi linjën që vije nga Maqedonia e Veriut, të gjitha e kanë si nyje të përbashkët pjesën ku është territori i KEK’ut, që është pjesë e degradume e territorit do të mund të rehabilitohej, të shëndrrohej në port të thatë, dhe kjo do ta diversfikonte pastaj edhe veprimtarinë e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Që në një far mënyre krijon fleksibilitet kur vije puna te qymyri, i shtohen veprimtaritë e tjera përpos që synohet të orientohemi kah energjia e ripërtëritshme. Pra, territorin e KEK’ut do ta mbushim me panele solare dhe të diversifikohet edhe prodhimi i energjisë brenda KEK’ut, kjo poashtu do të ishte një faktor ndihmues për Korporatën Energjetike të Kosovës, dhe do të ishte publike në pronë të shtetit, si infrastrukturë e cila ndihmon pastaj në zhvillimin ekonomik”, tha Aliu.
Pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë ‘deadline-i’ që me ndërtu ekipën që ka me u marrë në mënyrë sistematike me të gjitha
Siç pranoi ministri gjatë diskutimit, gjysma e hidrocentraleve aktive në Kosovë funksionojnë pa leje mjedisore.
Megjithatë, kjo do të ndryshojë duke filluar nga pranvera e ardhshme.
Pranvera e ardhshme, sipas Aliut, do të jetë ‘afati’ për të formuar skuadrën që do të merret në mënyrë ‘sistematike’ me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me hidrocentralet në Kosovë.
Ky ‘afat’, sipas ministrit Aliu, do të përcaktojë se cili prej këtyre hidrocentraleve do të marrë leje mjedisore dhe cili jo.
“Kosova ka shumë pak resurse ujore, nuk ka sensë që ato pak resurse ujore të futen nëpër gypa dhe të prodhohet shumë pak energji për shumë dëmë që bëhet.
“Unë mendoj që pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë ‘deadline-i’ që me ndërtu ekipën që ka me u marrë në mënyrë sistematike me të gjitha”, tha ai.
“Pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë ‘deadline-i’ ku do të përcaktohet për të gjitha këto hidrocentralet, për lejet mjedisore të tyre nëse a do të lëshohen ose jo”, nënvizoi Aliu.
Ndërkaq, rreth pyetjes se a parashikohet që eventualisht t’i ndryshoj Ministria e Mjedisit, brenda kompetencave, kriteret për licensimin e hidrocentraleve të reja, Aliu theksoi tashmë egziston një vendim preliminar për t’i ndaluar duke shtuar se tendenca politike e kësaj qeveria është drejt ndalimit të tyre.
“Jo, tash fatmirësisht janë duke u bërë planet e pellgjeve ujore. Dhe sipas atyre planeve të pellgjeve ujore do të jepen edhe kriteret. Por, lumenjt nëpër gypa, ne kemi tashmë një vendim preliminar për t’i ndaluar, dhe tendenca jonë politike është drejt ndalimit të tyre”, tha ai.
“Këto që i kemi, i kemi barrë në shtëpindë, duhet të merremi me to dhe do t’i trajtojmë një për një secilën, këto janë sot barrë e sistemit”, theksoi ai.
“Një pjesë e madhe e tyre duhet të ndalen patjetër sepse duhet të bëhet liqeni, cilat do të jenë pastaj pasojat nëpër çka kalojmë mbetet me pa ligjërisht”, tha ai.
Liburn Aliu: Nuk do të flasim me Serbinë për Ujmanin
Ndër të tjera, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha edhe se Kosova nuk do të negociojë me Serbinë sa i përket Liqenit të Ujmanit.
Ai konsideroi se ishte gabim që ishte pranuar të flitet për Ujmanin.
“Është kapacitet i shtetit të Kosovës, është pronë e shtetit të Kosovës, pse duhet të diskutohet ose pse duhet të flasim për të. Gabim është që është pranu të flitet për Ujmanin sepse është pranu të flitet për resursin themelor,”- tha Aliu.