Apple mund të jetë duke shtuar fokusin ndaj makinës së saj elektrike, e cila ka qenë duke u zhvilluar prej kohësh. Burimet e Bloomberg pohojnë se Apple tani po e zhvendos vëmendjen tek një makinë plotësisht me vetëdrejtim, jo thjesht tek një automjet më konvencional me opsione gjysmë autonome. Menaxheri i ri i projektit, Kevin Lynch, dëshiron që modeli i parë të jetë me vetëdrejtim, thanë burime të brendshme.
Thuhet se kompania po përshpejton planet e saj për ta arritur këtë. Për objektivat në të cilat Apple kohët e fundit kishte synuar realizimin në pesë deri në shtatë vjet, burimet thonë se tani synohet viti 2025, ose vetëm katër vjet. Plani megjithatë besohet të jetë “fluid” dhe ka si qëllim përfundimin e sistemit të plotë autonom të Apple në kohë. Apple supozohet se ka përfunduar pjesën më të madhe të “punës thelbësore” në procesorin e makinës.
Informacione të tjera gjithashtu thonë se Apple ka në plan një dizajn “ideal” për pjesën e brendshme të makinës, me ndenjëse si lounge për pasagjerët, një sistem info-argëtimi me ekran me prekje në mes dhe pa timon apo pedale. Një opsion emergjent i marrjes së kontrollit të mjetit ka qenë në diskutim, shtuan burimet.
Apple nuk pranoi të komentonte. Prioriteti i ri mund ta ndihmojë këtë projekt, i cili ka hasur në shumë pengesa, duke përfshirë ekzekutivët në largim dhe partnerët e pavendosur. Kompania mund t’i arrijë ose edhe t’ia kalojë prodhuesve aktualë të makinave që planifikojnë të ofrojnë autonomi të plotë ose pothuajse të plotë rreth të njëjtës kohë, si VW.
Megjithatë, makina plotësisht me vetë-drejtim ka shumë sfida, duke përfshirë trafikun e vështirë për t’u parashikuar dhe problemet e motit si bora. Nuk do të ishte për t’u habitur nëse Apple do t’i duhej të vononte nxjerrjen e makinës, ose të paktën t’u kërkonte shoferëve që të merrnin kontrollin e mjetit në kushte të caktuara. / Tech Crunch