Australia dhe Britania nënshkruan këtë të premte një marrëveshje të tregtisë së lirë që do të eliminojë pothuajse të gjitha taksat mbi eksportet midis dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni virtuale nga Ministri australian i Tregtisë Dan Tehan në Adelaide dhe Sekretarja e Shtetit britanik për Tregtinë Ndërkombëtare Anne-Marie Trevelyan në Londër.
Marrëveshja heq 99% të taksave mbi eksportet, duke i kursyer Australisë rreth 10 miliardë dollarë në eksporte, në produkte që përfshijnë mishin e qengjit, viçit, sheqerit dhe bulmetit. Nga ana tjetër pritet t’i kursejë Britanisë 200 milionë dollarë australianë (126.5 milionë euro) në vit për artikuj të tillë si makina, uiski dhe produkte kozmetike.
Eksportuesit australianë të bujqësisë gjithashtu do të kenë akses më të mirë në tregun britanik dhe 40 milionë dollarë australianë (25.3 mln euro) në vit tarifa do të hiqen nga verërat australiane që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar. Australianët dhe britanikët do ta kenë më të lehtë të jetojnë dhe punojnë në vendin tjetër.
Tehan tha se marrëveshja, e cila do të hyjë në fuqi diku në vitin 2022, do të rrisë investimet dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen nga pandemia.
“Ekonomitë tona do të jenë në gjendje të funksionojnë përsëri pa probleme,” tha Tehan.
Mbretëria e Bashkuar është partneri i tretë më i madh tregtar i shërbimeve të Australisë, me eksporte të shërbimeve australiane të vlerësuara në 5.5 miliardë dollarë australianë dhe importe që arrijnë në 9.2 miliardë dollarë australianë në të njëjtin vit./ Euronews