Për vite të tëra, qymyri vazhdon të mbetet njëri prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit në Kosovë dhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilët e shfrytëzojnë këtë lëndë djegëse fosile për prodhimin e energjisë elektrike.
Ballkan Green Foundation, përmes një postimi në facebook kanë treguar se djegia e qymyrit është burimi më i madh individual i ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor, dhe se kompanitë që po i drejtojnë termocentralet kryesore në shtetet në rajon, nuk janë duke iu përmbajtur ligjeve për emetimet e dëmshme të gazit.
Sipas tyre, e njëjta gjë vlenë edhe për impiantet e mëdha me djegie, pasi përdorimi i vazhdueshëm i termocentraleve me qymyr vlerësohet se do ta bëj të pamundur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.
Nga kjo organizatë theksojnë tutje se kjo industri do të përballet me një rënie financiare nëse dështon miratimi i një tekonologjie më të pastër.
Ndryshe, kampanja rajonale “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”, e cila po mbahet qe 2 vite radhazi, ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve në rajon për shkaqet dhe pasojat e ndotjes, mënyrat e mundshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit, si dhe angazhimin për një mjedis më të shëndetshëm përmes solidaritetit rajonal.
“Duhet të veprojmë tani, për të ndalur përdorimin e qymyrit që të kemi ajër më të pastër. Nuk ka më vend për termocentrale me qymyr dhe industri ndotëse në Ballkanin Perëndimor”, përfundojnë ata. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/