Ajo e bën shumë më të lehtë luftimin e ndryshimeve klimatike, shkruan The Economist.
Në negociatat e Samitit të Tokës në Rio de Zhaneiro në vitin 1992, Arabia Saudite u përpoq të përfshinte termin “ekologjikisht i sigurt dhe i shëndoshë” kur bëhej fjalë për “burimet e energjisë” dhe “furnizimet e energjisë”.
Duke qenë se Arabia Saudite eksporton naftë më shumë se çdo vend tjetër, ky term tingëllon i çuditshëm, sepse nafta nuk është aspak ekologjike dhe as e sigurt për mjedisin, shkruan The Economist. Megjithatë, në atë kohë, qëllimi i Arabisë Saudite ishte i qartë për të gjithë: kjo frazë ishte një mënyrë për ta mbajtur energjinë bërthamore jashtë axhendës së Samitit në Rio.
Kriza e naftës e viteve 1970, bëri që shumë vende të rrisnin përpjekjet e tyre në energjinë bërthamore. Në dekadën deri në vitin 1992, sasia e energjisë bërthamore e konsumuar në mbarë botën, ishte rritur me 130%. Për më tepër, u diskutua që centralet bërthamore të përdoreshin jo vetëm për të prodhuar energji elektrike, por edhe hidrogjen, i cili më pas mund të formonte bazën e lëndëve djegëse sintetike. Sauditët mund të mos kenë qenë përnjëmend të shqetësuar për mjedisin, por ata dinin t’i dallonin shpejt konkurrentët e fortë në horizont.
Sidoqoftë, skema e tyre doli e panevojshme. Ndryshe nga kriza e naftës, kërcënimi i ngrohjes globale nuk i ka shërbyer mirë kauzës bërthamore. Pasi arriti kulmin në vitin 2006, sasia e energjisë bërthamore e konsumuar në vitin 2019, ishte vetëm 18% më e lartë se në vitin 1992. Si pjesë e energjisë primare globale, ajo kishte rënë nga 6.1% në 4.3%.
Kjo nuk është aspak befasuese duke marrë parasysh se energjia bërthamore është shumë e shtrenjtë dhe se ndryshimet klimatike lidhen me djegien e lëndëve fosile. Rënia radikale e çmimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në dekadën e fundit, është thelbësore në rrugën e dekarbonizimit që bota po ndjek me padurim.
Por një sistem me energji të pastër kërkon rezerva të bollshme dhe besueshmëri në rrjetet e energjisë elektrike, gjë që është e vështirë të arrihet vetëm me burimet e rinovueshme. Ndoshta do të jenë të nevojshme edhe sasi të larta hidrogjeni, për shembull, për furnizimin e avionëve dhe prodhimin e çelikut dhe kimikateve, të cilat mundësohen nga reaktorët.
Energjia bërthamore, pa dyshim, ka të metat e saj, ashtu si të gjitha burimet e energjisë. Por kur kontrollohet dhe menaxhohet mirë dhe në një mënyrë të besueshme, ajo mund të jetë një burim jashtëzakonisht i sigurt, pavarësisht reputacionit negativ që ka marrë.
Kjo është arsyeja pse është një marrëzi që të mbyllen termocentrale të përsosura bërthamore si Diablo Canyon, në Kaliforni, vetëm për shkak të paragjykimeve. Dhe kjo është arsyeja pse disa shtete, veçanërisht Kina, po ndërtojnë flotat e tyre bërthamore dhe shtete të tjera si Arabia Saudite, po përfshijnë për herë të parë energjinë bërthamore në axhendën e tyre.
Franca, e cila e pati të pamundur të ndërtonte brenda kohës dhe buxhetit të parashikuar, gjeneratën më të re të reaktorëve të mëdhenj, (duke e bërë të vështirë edhe eksportin), tashmë ka plane të reja për të ndërtuar reaktorë të vegjël modularë (SMR) që mund të funksionojnë më mirë në të dyja aspektet. Rolls-Royce, një kompani inxhinierike britanike, ka parashikuar një qasje të ngjashme. Më 4 nëntor, kompania amerikane NuScale, nënshkroi një marrëveshje për t’i shitur Rumanisë gjashtë reaktorë të tillë, në Samitin COP26 në Glasgow të Skocisë. Rusia tashmë po përparon shpejt në ndërtimin e një termocentrali SMR.
Në parim, modele të tilla mund të prodhohen në fabrika dhe të dërgohen aty ku janë të nevojshme, duke ulur kostot. Këto avantazhe janë lavdëruar për dekada të tëra, por pa u vënë në zbatim. Ndërsa përpjekjet e sotme janë më të gjera dhe kanë një shtysë reale.
Ato kanë nevojë për qasje rregullatore të cilat, megjithëse nuk janë të lehta, u lejojnë krijuesve të mësojnë ndërsa ndërtojnë. Kjo do të lejojë që dizajnet konkurruese të garojnë me njëri-tjetrin, duke e bërë edhe një herë energjinë bërthamore një burim inovacioni dhe duke rritur aftësinë e botës për të hequr dorë nga energjia fosile ndotëse dhe e pasigurt./Monitor.al/