Sot, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës u debatua për gjendjen në sektorin e energjisë. Debati i nisur nga deputeti Ramush Haradinaj përfshiu kryeministrin Kurti, ministrin Murati dhe ministren Rizvanolli.
E gjitha filloi me diskutimin e deputetit nga radhët e AAK-së, dhe njëkohësisht ish kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili qysh në fillim të fjalimit të tij parashtroi një numër pyetjesh, kryesisht të ndërlidhura me krizën energjetike dhe mënyrën se si po përballohet kjo në Kosovë.
Haradinaj: Kurti e la Kosovën pa projekte për energjinë
‘Tani po hyjmë në një krizë energjetike. Si do ta kalojmë këtë dimër? Sa I vështirë do të jetë për qytetarët, për vendin dhe ekonominë? Cfarë strategjie do të ndjekë në të ardhmen?’, pyeti deputeti Haradinaj në fillim të fjalimit të tij.
Ndryshe, ai përmendi dy projektet energjetike të Kosovës, e që sipas tij u dobësuan dhe refuzuan gjatë kohës së qeverisjes së kryeministrit Kurti në dy mandate.
Bëhet fjalë për projektin e termocentralit të ri me thëngjill Kosova e Re dhe atë të gazit.
Ndërsa për të parin, Haradinaj tha se do të sjellte investime 1.2 miliard dollarësh amerikan dhe 450 megavat kapacitete të përhershme dhe qëndrueshme të prodhimit me cmim të garantuar deri në 86 euro për megavat, ai përsëriti se ishte pikërisht kryeministri Kurti që në mandatin e tij të parë qeveritar ka dobësuar projektin ndërsa Kosova tani po paguan 450 euro për megavat.
‘Njëkohësisht kryeministri Kurti me ardhjen e tij në qeveri I tha jo edhe një projekti tjetër për diversifikimin e energjisë, pra edhe për një alternativë në energji të gazit të rrjedhshëm. Pra gazësjellësit nga Shkupi, 200 milonëve amerikanë falë, 90 milion kredi, 20 prej të cilave poashtu grant. Na la edhe pa këtë projekt’, tha Haradinaj gjatë seancës plenare.
Kryeministri Kurti: Energjinë po e beljmë shtrenjtë dhe po e shesim lirë, jemi të fundit që po prekemi nga kriza energjetike
Në fjalimin e tij kryeministri Kurti sqaroi se përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar krizën energjetike tashmë kanë filluar.
‘Në mbledhje ne fundit të qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, megjithëse jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni yrë por edhe më gjërë, një pjese e madhe e kontinentit, ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike. Shtetet po ndëryhjnë si rrallë herë më parë në prodhimin, konsumin, dhe në tregun energjetik’, tha kryeministri Kurti, ndërsa sqaroi se cmimet e rrymës në bursë janë shumëfishuar ndërsa në Kosovë kanë mbetur të ulëta, apo vetëm 7 cent për kilovat orë.
Kurti sqaroi se krahas vjetërsimit të pajisjeve prodhuese dhe shpërndarëse në Kosovë, konsumi i rrymës është rirtur. Si shembull, kryeministri sqaroi se në ora 9 të mëngjesit është prodhuar 760 megavat orë energji elektrike, ndërsa kërkesa ka qenë 1113 megavat orë.
Ai tha se rritja e konsumit po ndodhë për shkak të uljes së temperaturave, por edhe për shkak të cmimit të ulët të energjisë elektrike. ‘Kur kërkesa rritet dhe kapacitet janë të brishta, sigurisht që gjendja rëndohet’, ka sqaruar Kryeministri.
Ai ka ripërësritur se bashkë me ministra, KEK-un, KOSTT-in dhe ZRRE-në po punojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me rrymë.
Murati: Në çështjet që u ngritën nga deputeti Haradinaj ka të pavërteta
Deputetit Haradinaj i erdhi edhe reagimi nga Ministri Murati. Ai tha se ka të pavërteta në cështjet që u ngritën nga deputeti Haradinaj.
Ministri Murati tha se nëlidhje me ContourGlobalin dhe projektin e Kosovës së Re, ishte vet kompania ContourGlobal që njëanshëm u tërhoq nga projekti dhe shkëputi kontratën me Republikën e Kosovës në marsin e vitit të kaluar.
‘Nëse kritika e tij (deputetit Haradinaj) është pretekst për ti siguruar ndonjë pozicion më të favorshëm ContourGlobalit në raport me arbitrazhet dhe padinë potenciale që mund të rezultojë ndaj shtetit të Kosovës, atëherë besoj që nuk I bën shërbim vendit nëse vazhdon të flet për cështje të tilla të pavërteta’, tha deputeti Murati.
Ai tha se që të dy projektet, edhe ai i termocentralit të ri por edhe i gazit, edhe po të vazhdonin do të ishin ende në fazën fillestare të zbatimit, dhe kësisoji nuk kanë fare të bëjnë me krizën në të cilën po kalohet, e shkaktuar pikërisht nga gazi, apo rritja e cmimit të gazit natyror, tha Ministri Murati.
Ministri tha se kriza energjetike është e përkohshme, ndërsa dëmet nga kontrata me ContourGlobal do të ishin 20-vjeçare.
Ministrja Artane Rizvanolli: KEK është duke bërë përpjekje të fillojë operimin në njësinë A3, ZRRE dhe MMPHI është duke trajtuar licencimin e BRE-ve në Bajgorë me prioritet
Në fillim të fjalimit të saj, Ministrja Rizvanolli tha se është e pakuptimtë të përdoren si argument projektet e gazit për krizën energjetike, pasi pikërisht cmimet e larta të gazit kanë shkaktuar këtë krizë.
Ajo tha se Kosova ka qëndruar relativisht mirë karshi krizës energjetike, pasi kërkesa është mbuluar me prodhim vendor.
Ndërsa ka sqaruar se momengalisht Kosovës i mungojnë rreth 354 megavat për të mbuluar kërkesën, ajo ka treguar shembuj se si shtetet e rajoni tashmë kanë filluar të subvencionojnë sektorin e energjisë për tu përballur me krizë, sikurse Maqedonia e Veriut me 80 milion euro apo Shqipëria me 180 milion euro në formë të garancive bankare.
Ministrja ka thënë se KEK është duke bërë përpjekje maksimale për të futur në operim mkësomë A3, ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës bashkë me ZRRE-në janë duke e marrë me prioritet licencimin e projekteve tashmë të ndërtuara të erës në Bajgorë.
Ndër tjerash, Ministrja ka sqaruar se janë organizuar mbledhje në nivel teknik ku prezente ishte zv. Ministrja e Republikës së Shqipërisë, ministri i Maqedonisë së Veriut dhe operatorët dhe kompanitë publike për prodhim të rrymës në këto vende.
Takimi kishte për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve dhe bashkëpunimin për të lehtësuar ndikimet e krizës energjetike.
‘Para më shumë se një muaji unë kam themeluar një taskforcë teknike që ka analizuar gjendjen dhe nevojat e sektorit dhe ka sjellë një raport me rekomandime të cilin jemi duke e shqyrtuar në qeveri dhe për një periudhë të shkurtër mund të flasim për masat që do të ndërmarrim’, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli: Kosova e Re, projekt i dështuar që në fillim
Në fund të fjalimit të saj, ministrja Artane Rizvanolli i është përgjigjur deputetit Haradinaj për projektin e Kosovës së Re dhe atë të gazit në Kosovë.
Në lidhje me Kosovën e Re, ministrja ka thënë se është një projekt i dështuar, dhe që ka qenë i dështuar.
‘Nuk ka ekspertë të fushës local apo ndërkombëtar që thotë që ka qenë një projekt i mirë. Përvec modelit të dështuar, përvec cmimit, ka qenë një kapacitet shumë i lartë, jo fleksibil, dhe i papërshtatshëm për sistemin tonë energjetik’, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Ministrja ka thënë se Banka Botërore nuk është tërhequr nga projekti pasi ishte projekt me thëngjill, por për shkak të ‘ndërhyrjeve politike të momenteve të fundit’.
‘Andaj nuk ia vlenë të flasim. Por një gjë është e sigurtë, nuk do ta sjellim sektorin në gjendje të tillë sic keni bërë me projekte të tilla në të kaluarën’, ka thënë ministrja Rizvanolli.
E në lidhje me gazin, ministrja ka thënë se tashmë është sqaruar se nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit të infrastrukturës së gazit, por se ‘kjo do të bëhet vetëm nëse shihet që ky është opcioni më i mirë dhe më i lirë për qytetarët dhe bizneset e Kosovës’.
Projekti Kosova e Re: Banka Botërore kishte thënë se u tërhoq për shkak të qymyrit
Ndryshe, Kosova kishte përqëndruar përpjekjet në fushën e energjisë rreth projektit të ndërtimi të termocentralit të ri me thëngjill. Për këtë, në vitin 2017, Kosova kishte nënshkruar disa marrëveshje me kompaninë amerikane ContourGlobal për ndërtimin e këtij projekti.
Por, projekti nuk vazhdoi ndërtimin pasi kompania ContourGlobal u tërhoq nga kontrata. Kompania kishte thënë se këtë po e bënte për shkak të ndryshimeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, dhe pasi nuk ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmën.
Projekti në vazhdimësi ishte kritikuar nga pjesëtarët e shoqërisë civile, dhe atë kohë, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
I gjithë procesi shumëvjeçar i ndërtimit të projektit ishte lehtësuar nga Banka Botërore, e cila në fund dhe fare pranë përfundimit të tij, ishte tërhequr nga përkrahja e projektit.
Në tetor të vitit 2018, ish-presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim pati thënë që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë, për shkak se nuk do të përkrahë më projekte me thëngjill.
“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, kishte deklaruar Kim kur kishte treguar për tërheqjen e Bankës Botërore nga projekti i termocentralit Kosova e Re në tetor të vitit 2018.
Kim kishte treguar qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvilloheshin në Bali të Indonezisë./kosovo.energy/