Cilat janë produktet ushqimore që u shtrenjtuan më së shumti gjatë vitit 2021?

Fotografi ilustruese

Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë kanë pësuar rritje enorme për disa muaj rresht gjatë vitit 2021, ku si tërësi deri në muajin nëntor norma e inflacionit vjetor shënoi një rritje prej 6.9 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. E lëvizja e çmimeve në Kosovë gjatë vitit që po e lëmë pas, ka vazhduar të përcaktohet kryesisht nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e varësisë së lartë të ekonomisë së Kosovës nga importet me vendet e tjera.

Blendrita AVDIU

Muaji tetor i vitit 2021 shënon ditët kur inflacioni në Kosovë nisi të rritej në përmasa të larta e të frikshme. Në këtë periudhë, xhepat e kosovarëve filluan të rëndohen nga çmimet e larta të produkteve më bazike për jetesë.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik për disa muaj rresht pati raportuar për rritje enorme të çmimeve të disa produkteve esenciale ushqimore, çmimet e të cilave u ngritën përnjëherë.

Produktet e para që shënuan rritje ishin gruri dhe mielli, çmimet e të cilave u rritën pothuajse përgjysmë më shumë sesa vitin e kaluar. Sipas furrëtarëve në vend, çmimi i një kilogrami grurë kishte arritur në 35 centë, ndërkaq i një thesi të 50 kilogramëve gjatë kësaj periudhe, shkoi në 17 euro ndonëse para pandemisë çmimi i tij ka qenë 7 euro. Pra, në përqindje i bie që rritja ka qenë 13.3 për qind më shumë sesa në vitin 2020.

Pas ngritjes së çmimeve të grurit dhe të miellit, shpejt janë ngritur edhe çmimet e bukës gjithandej nëpër furrat e qyteteve të Kosovës. Në të shumtën e rasteve, kjo ngritje është bërë prej 5-10 centë për një bukë 500 gramshe, që deri tani ka kushtuar 30-35 centë, varësisht nga furrat, por edhe nga qytetet e Kosovës.

Në të njëjtën kohë u rritën edhe çmimet e vajit. Në pothuajse çdo market të kryeqytetit, çmimi i vajit në tremujorin e tretë të vitit 2021 ishte ngritur për 30 deri në 40 centë, ose 30.9 për qind më shumë sesa që ishte në vitin 2020. Kjo ngjau të jetë rritja më e madhe që kishte ndodhur ndonjëherë rretj çmimit të vajrave në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.

Prej të gjitha vajrave ushqimor, vaji i lulediellit ka vazhduar të jetë më i kërkuari nga qytetarët në Kosovë. Çmimi i tij në tremujorin e fundit të vitit 2021, ishte rritur në 1 euro e 69 centë, ndërkohë që muaj më parë ka qenë diku 1 euro e 25 centë. Përveç vajit të lulediellit, ngritje të çmimit ka pasur edhe vaji i misrit në 2 euro e 79 centë, por edhe mbi 3 euro litri, ndërkohë që muajt e parë të vitit 2021, çmimi i tij kishte qenë 2 euro e 49 centë.

Vetëm vaji i ullirit sipas menaxherëve të marketeve nuk ka shënuar rritje, pasiqë sipas tyre, vaji i ullirit edhe ashtu ka kosto të lartë dhe në tregjet e vajit në vendin tonë konsumohet më pak.

Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimi i vajit gjatë muajit shtator të 2020-ës ka qenë 1 euro e 6 centë, ndërkohë që në vitin 2021 është rritur në 1 euro e 54 centë.

Ndër çmimet e rritura tej mase, duhet veçuar domosdo edhe çmimin e ngritur të orizit dhe sheqerit në Kosovë.

Çmimi i këtyre artikujve ushqimorë në treg është rritur për 20 deri në 40 centë, dhe në të shumtën e rasteve ka dominuar rritja prej 40 centësh.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2021 çmimi i orizit ka shënuar rritjen më të madhe ndër vite, përcjell Buletini Ekonomik. Kështu më 2010, një pako oriz që tregtohet më së shumti nëpër shitoret dhe marketet kosovare (800-900 gramëshe), sipas ASK-së, ka kushtuar 1 euro e 31 centë, ndërkohë që një rritje rekorde është vrejtur në këtë vit, ku çmimi i tij ka arritur në 1 euro e 48 centë për kilogram.

Përveç rritjes së çmimit të orizit, ngritje ka shënuar edhe çmimi i sheqerit me 3.8 për qind. Në bazë të dhënave të ASK, 1 kilogram me sheqer në vitin 2020 ka kushtuar 71 centë, ndërkohë në vitin 2021 çmimi i tij është rritur në 73 centë, ose që i bie 6.8 për qind më shumë sesa vitin 2020.

Sipas të dhënave të ASK-së, rritja më e madhe e çmimit të sheqerit në këtë dekadë ka qenë në vitin 2009, ku një kilogram i sheqerit ka kushtuar 75 centë. Pas kësaj periudhe, çmimi i kilogramit të tij kishte rënë në 68 centë në vitin 2019. Krahas gjithë kësaj, një rritje e lehtë e çmimit është vërejtur edhe në vitin 2020 ku çmimi i tij u ngrit për 4 centë për kilogram. Ndërkaq në vitin 2021 përsëri sheqeri shënoi rritje për 1 cent duke e quar kilogramin në 72 centë.

Tutje, brenda tetorit të vitit 2021, si nëpër shitoret e prodhuesve, ashtu edhe në markete të vogla dhe të mëdha por edhe në supërmarkete, disa herë me nga 20 e më shumë centë është rritur edhe çmimi i vezëve.

Sipas Agjencisë së Statiastikave të Kosovës (ASK), çmimi i vezëve gjatë muajit shtator të 2020-ës ka qenë 1 euro e 95 centë, ndërkohë që në periudhën e njëjtë të këtij viti, çmimi është rritur në 2 euro e 57 centë ose 7.7 për qind më shumë sesa në vitin 2020.

Vlenë të theksohet se krahas gjithë këtyre rritjeve të çmimeve të produkteve bazike ushqimore, rritje të çmimeve pati edhe në sektorin e pemëtarisë.

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021 në Kosovë, çmimi i një kilogrami të mandarinës sillej nga 79 centë deri në 1 euro. Saktësisht, çmimi i një kilogrami të mandarinave të Turqisë ka shkuar deri në 79 centë, ndërkaq ato Greqisë kushtuan 89 centë për kilogram. E krahas kësaj, as çmimi i portokajve nuk është dukur të jetë i arsyeshëm për qytetarët kosovarë. Çmimi i tyre në tregjet në vend sillej prej 1 euro e 19 centë, deri në 1 euro e 50 centë.

Tutje, Buletini Ekonomik pati raportuar edhe për rritje të çmimit të gështenjave në këtë periudhë. Krahasuar me vitin 2020, kilogrami i gështenjave shënoi rritje goxha të madhe. Përderisa në vitin 2020 një kilogram i gështenjave kushtonte nga 3 euro e 50 centë deri në 4 euro, në vitin 2021 çmimi i tyre ka arritur madje në 5 euro e 65 centë.

Ndërkaq, në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) rreth “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), për muajin nëntor 2021”, që njëkohësisht janë edhe të dhënat e fundit të raportuara deri më tani nga ASK-ja, tregohet se çmimi i perimeve gjatë kësaj kohe u rrit për 6.8 për qind, ndërkohë që çmimi i sheqerit, reçelit, mjaltës, çokollatës dhe ëmbëlsirave shënoi një rritje prej 8.6 për qind, gjithmonë duke iu referuar krahasimeve me vitin e kaluar.

Më tutje, edhe çmimet e prodhimeve të ndryshme ushqimore siç janë salcat, erëzat, kripa, dhe ushqimi për fëmijë patën një rritje prej 2.9 për qind, ndërsa çmimi i kafes, çajit dhe kakaos u ngrit për 8.7 për qind. Uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet u rritën poashtu për 0.9 për qind, ndërsa çmimi i pijeve alkoolike u ngrit për 2.6 për qind, ndërsa çmimi i duhanit u rrit për 2.9 për qind./Buletini Ekonomik/