Deficiti tregtar i Kosovës në nëntor, 361 milionë euro

Fotografi ilustruese

Prishtinë, dhjetor – Sado që në Kosovë, në muajin nëntor, kanë shënuar rritje  eksporti dhe importi, për shkak të shifrave ndjeshëm më të mëdha të importit karshi eksportit, mbetet akoma shumë i madh deficiti tregtar në vend.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) “Tregtia e jashtme e mallrave nëntor 2021” shpalosen rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor të këtij viti.

Sipas të dhënave të këtij raporti, del se nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, deficiti tregtar gjatë nëntorit të këtij viti u rrit për 38.9 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2020), gjegjësisht në vlerë prej 361.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 259.9 milionë euro sa ishte në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Eksporti edhe në nëntor mbulon importin vetëm me 16.4 për qind, edhe pse shënoi rritje të madhe krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Saktësisht, sipas të dhënave të ASK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, eksporti i mallrave në vend gjatë nëntorit është rritur për 54.4 për qind, ndërkaq importi ishte rritur për 41.2 për qind.

Të përkthyera në para, i bie që në muajin nëntor të këtij viti eksporti kishte arritur vlerën 70.6 milionë euro, ndërsa importi u ngrit në 431.8 milionë euro.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, shihet qartazi se një rritje prej 26.6 për qind ose në vlerë prej 18 mijë e 815 euro në këtë grup e shënuan metalet bazë dhe artikujt të ndryshëm që burojnë prej tyre, të cilët poashtu u rritën për 23.9 për qind, ose në vlerë prej 16 mijë e 917 euro.

Ndërkohë, me 12.5 për qind ose me 8 mijë e 820 euro u ngrit eksporti i prodhimeve nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre, ndërsa me 8.9 për qind ose 6 mijë e 305 euro shënoi rritje sektori i ushqimeve të përgatitura, pijeve dhe duhanit.

Edhe produktet minerale gjatë kësaj periudhe shënuan një rritje prej 6.2 për qind ose në vlerë prej 4 mijë e 415 euro dhe produktet bimore të cilat u rritën për 3.9 për qind ose me një vlerë prej 2 mijë e 728 euro. Me 3 për qind, ose në vlerë prej 2 mijë e 91 euro pati rritje në sektorin e makinerisë, pajisjeve mekanike dhe elektrike.

Ndërkohë, sa i përket importit në nëntor të këtij viti, grupet të cilat shënuan rritje ishin produktet minerale me 14.1 për qind, ose në një shumë prej 61 mijë e 80 euro, pasuar nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike që u ngritën për 13.7 për qind ose që prekën shumën prej 59 mijë e 60 euro.

Edhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre patën një rritje prej 13.5 për qind ose në vlerë prej 58 mijë e 381 euro, ndërkohë që me 11.5 për qind ose prej 49 mijë e 745 euro u rritën ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. Ndërkaq, produktet nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre u rritën për 7.7 për qind ose në vlerë prej 33 mijë e 225 euro si dhe mjetet e transportit që u rritën për 7.7 për qind, ose në shumë prej 33 mijë e 253 euro. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/