Drejtoria për Krime Ekonomike “kap” katër zyrtarë bujqësor në Istog, dyshohet për keqpërdorim të subvencioneve

Policia e Kosovës ka arrestuar sot katër zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Lajmin për Express e ka konfirmuar nënkryetari i Komunës së Istogut, Agim Ademaj.

“Kanë ardhur i kanë marrë me polici, katër zyrtarë të drejtoratit të bujqësisë, nuk kanë dhënë asnjë informacion, s’e kanë informuar askënd prej komunës”, ka deklaruar Ademaj.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se momentalisht nuk mund të jepen shumë detaje rreth aksionit të sotëm.

Zëdhënësi i poicisë, Baki Kelani, ka deklaruar se aksioni i sotëm po bëhet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave deri më tani, ata dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, si dhe se janë të përfshirë në keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi.