Sot i gjithë prodhimi vendor i rrymës po mbështetet në tri njësi të termocentralit gjysmë-shekullor, Kosova A. Përveç prodhimit të rrymës nga thëngjilli në KEK, vlera të vogla të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme po ndihmojnë sistemin elektroenergjetik.
Kosovo.Energy ka mësuar se nga sistemi ka rënë edhe njësia tjetër e termocentralit Kosova B, ndërsa në operim janë tri njësi të termocentralit Kosova A. KEK ka thënë se është duke bërë të gjitha përpjekjet që njësinë B1 të termocentralit Kosova B të riktheje në prodhim nesër.
‘Për shkak te nje rrjedhje ne kaldajën e njesinë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe këtë në mesnate. Ekipet e specializuara kane filluar menjëherë përgatitjet per intervenim në sanimin e gjendjes. Sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim neser në mengjes, me 16.12.2021, kur edhe do të krijohen kushtet per furnizimin e Termokosit me avull per ngrohje qendrore’, ka thënë KEK.
Kësisoji, prodhimi nga KEK për momentin është vetëm 390 megavat në orë, ndërsa kërkesa për energji elektrike në vend tejkalon 1200 megavat në orë, në kohë të pikut.
Mungesa e lëndës së parë e shkaktuar nga rënia nga operimi e dy njësive të termocentralit Kosova B ka bërë që edhe Termokos të ndërpresë furnizimin me ngrohje qendrore.
‘NP “Termokos” Sh.A., njofton opinionin e gjerë, përkatësisht gjithë konsumatorët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, jemi detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët’, ka thënë Termokos në komunikatën për media.
Kësisoji, qytetarët në kryeqytet mbeten edhe pa ngrohje, dhe kjo do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e kërkesës për energji elektrike, që përndryshe është e lartë dhe në trend të vazhdueshëm të rritjes.
Rënia e prodhimit dhe rritja e kërkesës kanë bërë që importet e rrymës të rriten jashtzakonisht shumë, ndërsa cmimet e këtij produkti në tregje ndërkombëtare po shënojnë rekorde. Kjo padyshim se do të ndikojë edhe në rritjen e faturave të energjisë elektrike, proces ky tashmë i filluar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Termocentralet në Kosovë operojnë me kushte të vështira, përkundër, janë shtylla kryesore e sistemit elektroenergjetik në Kosovë
Termocentrali Kosova A ka pesë njësi të cilat janë ndërtuar gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar. Aktualisht funksionojnë njësitë A3, A4 dhe A5.
Njësia A3 e termocentralit Kosova A është lëshuar në punë në vitin 1970, dhe vitin tjetër mbush plotë gjysmë shekulli të operimit.
Kjo njësi fillimisht kishte kapacitet të instaluar prej 200 megavatësh në orë, i cili me kalimin e kohës është zvogëluar në rreth 120 megavat në orë.
Termocentrali më i vjetër me thëngjill në Kosovë, termocentrali Kosova A, ka dominuar diskutimet në sektorin e energjisë në Kosovë për dekada të tëra, në veçanti nxjerrjen jashtë funksionit të termocentralit në fjalë.
Nivelet e emetimeve që vijnë nga Kosova A shpesh e kanë vendosur termocentralin ndër më ndotësit dhe nganjëherë më ndotësin në Evropë, ku së bashku me termocentralet e tjerë të qymyrit rajonal janë arsya e sëmundjeve të rënda respiratore në Evropë.
Në anën tjetër, i përfunduar në vitin 1983, termocentrali Kosova B është më i ri në moshë se Kosova A.
Ky termocentral përbëhet nga dy njësi, të njohura si njësia B1 dhe B2.
Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani Europiane që në atë kohe quhej “Stein Industrie”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane
Përkundër moshës, termocentralet në Kosovë vazhdojnë të jenë ndër shtyllat kryesore energjetike në vend.
Investimet e vazhdueshme në termocentrale kanë përmirësuar dukshëm gjendjen e njësive dhe kanë zvogëluar numrin e ndërprerjeve të paplanifikuara, por mosha e këtyre termocentraleve dhe pajisjeve duket se po e bën të vetën.