Megjithëse kanë pësuar rënie krahasuar me vitin 2020, investimet holandeze përbëjnë më shumë se 22% të Investimeve të Huaja Direkte për këtë vit. Arsyeja kryesore e kryesimit të Holandës në renditjen e investitorëve të huaj gjatë viteve të fundit është fakti se Holanda është një nga juridiksionet europiane ku regjistrohen më shumë kompani offshore.
Në Holandë janë të regjistruara kompanitë që zotërojnë Devoll Hydropower, Vodafone Albania, Spitalin Amerikan, etj. Por, në vitet e fundit, në Holandë janë regjistruar edhe kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme të PPP-ve në Shqipëri dhe qëllimi duket të jetë kryesisht fshehja e përfituesve të këtyre kontratave.
Ekspertët e çështjeve ligjore e shpjegojnë me dy arsye kryesore faktin pse Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, përmes të cilave ushtrohet kontrolli mbi investimet e kryera në vende të ndryshme të botës.
Arsyeja e parë është se Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.
Arsyeja e dytë pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.
Megjithatë, juristët shpjegojnë për “Monitor” se legjislacioni holandez e njeh konfidencialitetin si të drejtë dhe jo si detyrim. Në rastet kur legjislacioni i një vendi tjetër kërkon bërjen publike të pronarëve përfitues, atëherë kompanitë që veprojnë në këtë vend duhet të bëjnë transparencë. Kjo do të thotë se firmat shqiptare janë të detyruara të deklarojnë emrat e pronarëve përfitues, sipas kërkesave të ligjit shqiptar, pavarësisht mbrojtjes që ofron ligji holandez për shoqëritë e regjistruara aty.
PPP-të, shumë akuza, asnjë ndjekje penale
Shtimi i kontratave të PPP-ve në vitet e fundit është bërë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit. Për vitin 2021, pagesat e PPP-ve kishin vlerën e më shumë se 100 milionë eurove dhe zinin 3.1% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Edhe për tre vitet në vijim, transfertat në favor të koncesioneve/PPP-ve do të qëndrojnë në rendin e 3% të shpenzimeve buxhetore, duke qëndruar brenda kufirit tavan prej 5%, që aktualisht është i vetmi kufizim i parashikuar në ligjin për Buxhetin.
Në të gjitha rastet, kontratat e PPP-ve janë dhënë pa studime të mirëfillta të kosto/efektshmërisë së tyre dhe pa asnjë argumentim transparent lidhur me nevojën apo domosdoshmërinë për transferimin e ofrimit të shërbimeve te subjekte private.
Rritja e numrit të kontratave dhe vlerës së tyre është bërë rrezik i shtuar fiskal, siç është vërejtur shpesh nga institucionet ndërkombëtare partnere. Madje, Banka e Shqipërisë ka kërkuar vendosjen e një vlere tavan për kontratat e PPP-ve, si dhe ngritjen e strukturave të posaçme për vlerësimin e këtyre projekteve.
Shumë prej këtyre koncesioneve janë kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe në disa raste, opozita ka bërë kallëzim penal në prokurori për dhënësit e këtyre kontratave. Megjithatë, deri tani, organet e hetimit nuk kanë hapur asnjë çështje penale dhe nuk kanë marrë asnjë të pandehur lidhur me këto procedura.