Europë, automjetet Plug-in zënë 23% të tregut në tetor 2021

Tregu automobilistik europian po vuan gjithnjë e më shumë me mungesën e vazhdueshme të gjysmëpërcjellësve dhe mungesën e makinave të reja në koncesionarë.

Regjistrimet e automjeteve për pasagjerë në Europë (26 tregje europiane, të monitoruara nga JATO Dynamics) ranë me 30% me bazë vjetore në 790.652 në tetor. Rezultati me bazë vjetore prej 9.85 milionë njësi është tani vetëm 2.6% mbi nivelin e 2020-s.

Ndërkohë, shitjet e automjeteve elektrike plug-in po ecin mirë. Muajin e kaluar u regjistruan në total 181.300 makina plug-in, duke zënë 22.9% të tregut. Për të bërë një krahasim, në 2019, plug-in zinin vetëm 4% të tregut.

Reklama e sponzorizuar

JATO Dynamics vëren se mungesat ndikojnë drejtpërdrejt nw treg, ndërkohë që prodhuesit po prodhojnë dhe shesin modele më fitimprurëse (zakonisht SUV të mëdha) dhe plug-in (të rëndësishme edhe nga pikëpamja e kërkesave të emetimit).

Felipe Munoz, analist global në JATO Dynamics, komentoi:

“Shtëpitë automobilistike po detyrohen t’u japin përparësi segmenteve të tyre më të shitura, gjë që do të thotë se ata pak gjysmëpërcjellës të disponueshëm përdoren ekskluzivisht për të prodhuar SUV dhe EV (makina elektrike)”. Jo të gjithë prodhuesit janë prekur nga mungesa në të njëjtën mënyrë dhe duket se grupi Volkswagen është goditur më rëndë.

10 modelet më të shitura

Tani le t’i hedhim një vështrim modeleve më të shitura në kategoritë BEV dhe PHEV. Tetori nuk ishte një muaj spektakolar sa disa prej muajve të mëparshëm, por disa rezultate janë mjaft interesante.

Para së gjithash, Renault ZOE, një nga makinat elektrike më të vjetra në treg, u rendit e para me 6.438 njësi, pavarësisht një rënie të konsiderueshme prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Rezultati i ZOE ishte i mjaftueshëm për të lënë pas Volkswagen ID.3, që me 5.539 njësi ra me 47% me bazë vjetore, krahasuar me muajin e parë të plotë në treg. Volkswagen po përballet me probleme të mëdha me furnizimin, pasi fabrika kryesore MEB-EV në Zwickau, si dhe një fabrikë më e vogël në Dresden, u ndalën për një javë të tërë.

Ndërkohë, Dacia Spring – Made-in-China – po shitet me shpejtësi. Ajo renditet e treta në tetor, me 5.277 njësi dhe 40,000 njësi në total janë porositur. Duket se Europa është e uritur për EV entry-level, sa më ekonomike.
Në tetor, edhe një herë Skoda Enyaq iV (5,166 njësi) renditej mbi Volkswagen ID.4 (4,847 njësi). Hyundai Ioniq 5 me, 3,286 njësi, hyri në top 10 për herë të parë, duke u renditur i 9-ti.

Ndër hibridët plug-in, Ford Kuga PHEV (Ford Escape PHEV në SHBA) mbetet në vendin e parë, por kësaj here, Peugeot 3008 PHEV ishte shumë afër.