Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën ndaj dy të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të cilët ngarkohen se i shkaktuan dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Gashi ka njoftuar se në këtë rast nga mbrojtësit e të pandehurve janë ushtruar kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës.

Reklama e sponzorizuar

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special përmes aktvendimit të saj, ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, ku palët lidhur me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gashit për “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë më 26 tetor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.

Ashtu që sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.

Kurse, Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëm t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.

Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshmem fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë.