“Ibër-Lepenci” shiti energji dhjetëfish më lirë se KEK-u, kontrata dorëzohet në Krimet Ekonomike

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se si institucion ata kanë vendosur që kontrata e shitjes së energjisë elektrike që u publikua ditë më parë si një kontratë e dëmshme, të procedohet tutje tek organet e drejtësisë, konkretisht tek Njësia e Krimeve Ekonomike.

Nga kontrata e publikuar nga vetë drejtuesit e ri të Bordit të kësaj ndërmarrjeje, u konstatua se Ibër-Lepenci po e shiste rrymën shumë më lirë se sa çmimi me të cilin tash Kosova po importon energji për shkak të një kontrate të dëmshme, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, ky procedim deri të krimet ekonomike do të bëhet për shkak të dyshimit ekzistues se me lidhjen e asaj kontrate janë shkelur të gjitha procedurat për tregtimin e energjisë elektrike.

Pesë ditë më parë, kryetarja e re e Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Hyrmet Mydyti, deklaroi se se shkaku i kontratës së nënshkruar më herët, kjo ndërmarrje s’po mund ta ndihmojë vendin në krizën energjetike, sepse marrëveshja e gjetur në zyret e kësaj ndërmarrjeje, bën që “Ibër-Lepenci” të shesë rrymën me çmim prej 38.11 euro për megavat për orë, ndërsa Kosova tash po e blen atë me çmim prej 60 deri 300 euro për MWh.

Tutje edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte gjobitur ndërmarrjen “Ibër-Lepencin” për këtë  kontratë të shitjes së energjisë.

“Me anë të kësaj komunikate nga ana e NH “Iber-Lepenc” sh.a., ju njoftojmë se sot, konkretisht me 23.12.2021, është mbajtur Mbledhja e Jashtëzakonshme e Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes hidroekonomike “Iber-Lepenc” sh. a, në të cilën Bordi i Drejtorëve, bazuar në raportin e ZAP dhe Vendimit të shqyrtimit të gjobës nga ana e ZRRE-së, mori vendim që kontrata e shitjes së energjisë të procedohet në Njësinë e krimeve ekonomike, për shkak të dyshimit të bazuar për shkeljen e procedurave për tregtimin e energjisë gjatë lidhjes së kësaj kontrate”, sqarohet tutje në njoftimin e ndërmarrjes. /Buletini Ekonomik/