Industria britanike e makinave “u fundos” në nivelin e vitit 1984

Britania e Madhe prodhoi numrin më të ulët të automjeteve të reja në nëntor që nga viti 1984.

Vetëm 75,756 automjete u prodhuan në ishull muajin e kaluar, sipas Shoqatës Britanike të Prodhuesve dhe Shitësve të Automjeteve Motorike (SMMT). Ajo që është më e keqja, ishte muaji i pestë radhazi i rënies së prodhimit.

Për hir të krahasimit, në nëntor 2020, Mbretëria e Bashkuar prodhoi 106,243 automjete, pra rënia vjetore ishte 28.7 për qind. Deri më tani këtë vit, 797,261 automjete janë prodhuar në fabrikat britanike, 6,2% më pak nga një total prej 849,525 makinash në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Këto janë shifra tepër shqetësuese, të cilat theksojnë seriozitetin e situatës me të cilën përballet industria e automobilave”, tha Mike Haves, drejtor ekzekutiv i SMMT.

“Me gjithë situatën negative ekonomike, inflacionin në rritje dhe përsëritjen e COVID-it brenda dhe jashtë vendit, rrethanat aktuale janë më të vështirat në dekada” .

SMMT gjithashtu fajëson problemet e zinxhirit të furnizimit për këtë rezultat. Përveç mungesës së çipave dhe çrregullimeve të tjera që lidhen me Covid-in, edhe Mbretëria e Bashkuar pësoi një humbje në prodhim pas mbylljes së fabrikës së Hondas këtë verë.

Prodhimi i automjeteve të destinuara për tregun vendas ka rënë për afro 19 për qind në muajin nëntor, ndërsa rënia ka qenë 30.4 për qind për veturat e prodhuara për eksport.

Tetë nga dhjetë automjete të prodhuara në Britaninë e Madhe janë të destinuara për eksport, ndërsa 60% e tyre shkojnë në tregun evropian dhe tarifat e reja doganore në tregtinë me BE-në do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2022.