Në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, në mbledhjen e sotme, është shqyrtuar dhe miratuar Raporti me amandamente për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Në këtë mbledhje, anëtarët opozitarë e kundërshtuan këtë projektligj, pasi sipas tyre i njëjti nuk i plotëson kushtet dhe kërkesat e qytetarëve dhe si i tillë nuk do ta ketë votën e tyre.
5 vota ishin pro nga anëtarët e LVV-së për miratimin e këtij projektligji, katër vota ishin kundër dhe asnjë abstenim.
Nga anëtari i PDK-së në këtë komision, Hajdar Beqa, u dha ‘ultimatumi’ për Qeverinë se vetëm nëse reflektojnë në Ligjin për paga, atëherë ata si opozitë do ta votojnë buxhetin.
“Ne nuk do t’i votojmë këto amendamente dhe është qëndrim i PDK-së, kështu që nëse reflekton Qeveria me Ligjin për paga atëherë do të kemi qëndrim tjetër”, u shpreh Beqa.
Ndërsa, anëtari i Komisionit nga AAK-ja, Besnik Tahiri, deklaroi se është bërë një mashtrim në lidhje me Zonën ekonomike të Podujevës, amandament ky që e kishte paraqitur vet ai, dhe se sipas tij, kërkesa ka qenë për një buxhet prej 500 mijë eurove, kurse Qeveria ka vendosur vetëm 200 mijë.
“Në amendamentin ku bëhet fjalë për Zonën ekonomike të Podujevës, amendament të cilin unë e kam paraqit e kemi kërkuar buxhetin prej 500 mijë eurosh dhe këtu e shoh se loja dhe mashtrimi që qenka bërë, e që qenkan vendosur vetëm 200 mijë euro dhe tre deputetë të pozitës më thanë se kaloi amendamenti yt. Ky amendament është mashtrim ose mosdije”, tha tutje Tahiri.
E Dimal Basha nga LVV-ja iu kundërpërgjigj Tahirit, duke thënë se këto 200 mijë euro janë vetëm për vitin 2022 dhe për vitin 2023 dhe 2024 priten të shtohen mjete tjera. /Buletini Ekonomik/