KEDS reagon pas protestave: Po përballemi me krizë botërore të rritjes së çmimeve

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka reaguar pas protestave të mbajtur dje para objektit të saj, duke thënë se sektori i energjisë në vend është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha.

Sipas kompanisë, kjo gjendje e krijuar është si rezultat i krizës botërore të rritjes së çmimeve.

“Sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës, dhe ne, si një nga akterët në këtë sektor, bashkë-ndjejmë me secilin prej jush. I kuptojmë edhe protestat që u mbajtën para ndërtesës sonë. Është e drejtë e tyre dhe e respektojmë këtë. Këtë vit po përballemi me krizë globale të rritjes së çmimeve, rritjes enorme të konsumit dhe rënies së prodhimit. Këta faktorë prekin tërë sistemin elektro-energjetik, pjesë e të cilit janë edhe konsumatorët”, thuhet në reagimin e KEDS-it.

Reklama e sponzorizuar

KEDS thotë se deri më tani janë investuar gati 200 milionë euro.

“Si kompani jemi në vitin e 9 të operimeve. Që nga fillimi i operimeve tona kemi hequr planin e reduktimeve të njohur si kategorizimi ‘ABC’. Vetëm kujtojeni se si ka qenë furnizimi me rrymë vitin e kaluar, krahasuar me këtë vit!? Ky është shembulli më i mirë se privatizimi ka qenë i suksesshëm dhe ne si kompani jemi krenar me atë që kemi arritur. Kemi investuar gati 200 milionë euro në sistem dhe operimi ynë i përgjithshëm sot është shumë më efikas. Këto investime kanë rritur në mënyrë të prekshme kualitetin e shërbimeve për qytetarët e bizneset në të gjithë Kosovën”, vijon reagimi.

Në fund, kompania thekson se janë të gatshëm për bashkëpunim.

“KEDS dhe KESCO janë vetëm njëri nga akterët në sektorin e energjisë. Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë akterët tjerë relevantë se jemi të gatshëm për bashkëpunim, ashtu siç kemi qenë që nga shtatori, kur filluam të ofrojmë rekomandime për autoritetet si të menaxhohet në mënyrë sa më efikase kjo krizë. Është koha që tërë energjinë ta përqendrojmë në tejkalimin e kësaj situate, në vepra konkrete, e jo për sulme që cenojnë kredibilitetin e kompanisë jashtë dhe brenda vendit dhe mohojnë të arriturat e kompanisë ndër vite”, përfundon kompania.