KEK-u humbi rastin ndaj KEDS-it për pagesën e 4.3 milionë eurove, Kushtetuesja refuzon rastin

Gjykata Kushtuese e ka nxjerr aktvendimin për papranueshmëri të rastit të KEK-ut kundër KEDS-it, i cili kishte kontestuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit të 13 prillit 2021.

Ky rast ndërlidhet me faturën nr. 204 të 6 qershorit 2013, ku KEDS-i si debitor ishte i detyruar t’ia paguante parashtruesit/kreditorit shumën prej 14,216,231.32 euro, raporton Demokracia.com.

Fatura ishte lëshuar në pajtim me marrëveshjen e shitjes me shumicë të energjisë elektrike dhe në pajtim me Zyrën e Rregullatorit të 2 majit 2013, e cila sipas vendimit apelohej prej 1 prillit 2013.

Reklama e sponzorizuar

Sipas KEK-ut, KEDS kishte përmbushur vetëm pjesërisht obligimin dhe kishte mbetur pa e paguar shumën prej 4,340,491.00 nga totali i faturës.

“Zyra Përmbarimore e Përmbaruesit Privat A.M., në Prishtinë, duke vepruar sipas propozimit të parashtruesit të kërkesës, kishte lëshuar Urdhër [P.nr. 01/16] me të cilin lejoi përmbarimin e kësaj shumë në bazë të provës së besueshme-faturës nr. 204 e 6 qershorit 2013, e cila ishte Iëshuar në pajtim me Marrëveshjen për Furnizim me shumicë të 17 tetorit 2012, dhe ne pajtim me Vendimin e ZRE [V-528-2013) të 2 majit 2013, vIera e faturës për shitjen me shumicë të energjisë elektrike ka qenë gjithsej shuma 14.216.231.32 euro, mirëpo debitori pjesërisht e ka përmbushur borxhin sipas faturës më dt. 12.06.2013 nga data 08-31.05.2013, ndërsa që nuk e kishte përmbushur borxhin nga data 01-07.05.2013, dhe atë në shumë 4.340-491,00 €, nga totali i faturës, me të cilën ka kërkuar që debitori të obligohet t’ia paguajë borxhin parashtruesit të kërkesës në vlerë prej 4.340-491.00 euro, në afat prej 7 ditësh nga data e lejimit të këtij urdhri deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet e përmbarimit, nën kërcenim të përmbarimit të dhunshëm”, thuhet në përshkrimin e fakteve, raporton Demokracia.com.

Kundër urdhrit për lejimin e përmbarimit, brenda aftit ligjor debitori-KEDS kishte paraqitur prapësim, ku theksonte se dokumenti në bazë të të cilit është marrë urdhri përmbarues, nuk ka titull ekzekutiv ose nuk ka tipare të përmbarueshmërisë, ashtu siç e parasheh neni 71 paragrafi 1.1 dhe 1.2 i Ligjit të Procedurës Përmbarimore.

Debitori me tej theksoi se faturimi ishte në kundërshtim me kushtet e Marrëveshjes së 17 tetorit 2012, për faktin që fatura Nr. 204 përfshinte tërë periudhën e muajit maj nga 1 deri më 31 maj, përderisa marrëveshja ka hyrë në fuqi më 8 maj 2013, ndërsa që fatura 204 është Iëshuar në bazë të kësaj marrëveshje. Rrjedhimisht, KEDS kontestoi vlerën e faturimit për periudhën 1-7 maj 2013 për shumën 4.340-491,09 €, pasi që marrëveshja nuk ka qenë në fuqi dhe në kuptim të nenit 7.3 të marrëveshjes nuk e ka paguar shumën e kontestuar, por ka paguar shumën e pakontestuar prej 8 deri më 31 maj 2013, në vlerë prej 9,875,740.32 euro.

Më 14 mars 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Vendimit [PPP 62/16] aprovoi prapësimin e debitorit-KEDS, si dhe anuloi Urdhrin [P.nr. 01/16] e 13 janarit 2016, të Përmbaruesit Privat A.M.

Por, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, KEK-ut, është e papranueshme, sepse pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës së ka ardhur deri te interpretimi i gabuar dhe aplikimi i gabuar i ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt” dhe si te tilla këto pretendime të KEK-ut janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Edhe pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, sipas Gjykatës Kushtetuese, është qartazi i pabazuar, sepse i njëjti cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Njëjtë trajtohet edhe pretendimi për shkelje të nenit 102, pasi që i njëjti nuk hyn në kategorinë e të Drejtave dhe Lirive Themelore të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe nuk është ndërlidhur dhe argumentuar me ndonjë të drejtë tjetër të përcaktuar në Kapitullin II.

Kërkesa e KEK-ut në tërësi është deklaruar e papranueshme, sepse nuk ka bazë kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të rregullores së punës. /Demokracia.com/

Aktvendimi i plotë: https://gzk.rks-gov.net/actdetail.aspx?actid=51447&langid=1