Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve Dh.H., F.M., D.Sh., K.C. dhe N.O., ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, PS.nr.31/2021 të datës 12.10.2021.
Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësit e të pandehurve.
Të pandehurit Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani veç e veç akuzohen për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2. lidhur me nenin 71, paragraf 1. të KPRK.
Me qëllim të informimit sa më të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje penale, në shtojcë të kësaj komunikate gjendet aktvendimi i anonimizuar i Gjykatës së Apelit të Kosovës.