Gjysma e bizneseve të anketuara mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm. Kështu u tha nga gjetjet e fundit të hulumtimit “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik“, prezantuar nga Lëvizja FOL.
Yllka Buzhala nga FOL, tha se bizneset e anketuara aktualisht konsiderojnë se situata me pandeminë COVID-19 është njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ata po ballafaqohen.
“Pas kësaj përmendet mungesa e investimeve të huaja me 14 për qind, ndjekur nga korrupsioni me 9 për qind, mungesa e fuqisë punëtore me 8 për qind dhe burokracia e institucioneve me 6 për qind. Megjithëse nuk e konsiderojnë korrupsionin si sfidën kyçe aktualisht, afërsisht një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura me 28 për qind, përshpejtimi i një procedure burokratike me 26 për qind, shmangia e dënimeve me 23 për qind janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion”, tha Buzhala.
Ndërsa, Ardi Shatri nga FOL, tha se mbi gjysma e bizneseve mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm.
“Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria me 35 për qind, zvarritja e proceseve gjyqësore me 32 për qind dhe mosraportimi i korrupsionit me 32 për qind. Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore me 20 për qind, apo mungesa e vullnetit politik me 19 për qind lehtësojnë korrupsionin”, tha Shatri.
Lidhur me perceptimet se prokurimi publik është i lidhur me apo zhvillohet në përputhje me partitë politike në pushtet, 25 për qind e bizneseve pohojnë se bizneset që fitojnë tenderë, ndryshojnë ndonjëherë pas ardhjes së një ministri apo kryetari të ri në pushtet, e 27 për qind mendojnë se ndryshojnë shpesh ose pothuajse gjithmonë.
Sa i përket asaj se sa nga bizneset e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit, Shatri tha se rreth 61 për qind e bizneseve që e njohin OSHP-në mendojnë se ky organ funksionon si duhet.