KOSTT nga viti 2017 bleu energji elektrike në vlerë të mbi 65 milionë eurove nga BRE-të

Fotografi ilustruese

Ndërmarrja publike KOSTT ( apo Operatori i Transmisionit, Sistemit dhe Tregut sh.a), nga viti 2017 e deri në gusht të këtij viti ka kryer pagesa në vlerë të gjithsej 65 milionë e 115 mijë e 100 eurove për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga kompanitë që gjenerojnë energji nga burime të ripërtëritshme, si ato solare, nga era, me biomasë, dhe nga hidrocentralet.

Që nga viti 2017, KOSTT ka lidhur 32 marrëveshje me gjeneratorët e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë, nga të cilat ishte planifikuar të prodhohej energji prej 169.20 MWH, përcjell Buletini Ekonomik.

Si operator tregu, KOSTT-i është përgjegjës për organizimin dhe administrimin e gjithë tregtisë së energjisë, menaxhon procesin e marrëveshjeve të shit-blerjeve të energjisë elektrike në Kosovë, si dhe është përgjegjës për transmisionin e energjisë tek rrjetet elektrike të tensionit të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), më datë 27 prill 2017, kishte miratuar Rregullën nr.10-2017 për Skemën Mbështetëse për Gjeneratorët e Burimeve të Ripërtëritëshme të Energjisë, me anë të së cilës e obligonte KOSTT-in që të nënshkruajë marrëveshjet me gjeneratorët e energjisë së ripërtëritshme. Pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulle, brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve, aplikuesit të cilët posedojnë vendim për autorizim preliminar apo vendim për autorizim final të cilat janë lëshuar sipas Rregullës për Procedurën e Autorizimit para hyrjes në fuqi të kësaj rregulle, duhej të bënin kërkesë me shkrim te Operatori i Tregut (OT) për të lidhur marrëveshje për blerje të energjisë.

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), që njëherit është edhe auditimi i parë i kësaj ndërmarrjeje nga ZKA, konstatohet se nga 77 pagesat që ata kanë testuar, 8 prej tyre ishin pagesa të kryera për energjinë e prodhuar nga era, 27 për ato solare, si dhe 42 pagesa të tjera për energjinë e prodhuar nga hidrocentralet.

Pagesat e testuara nga ZKA-ja ishin në vlerë të 12 milionë e 915 mijë e 764 euro, pagesë kjo që ishte bërë për 146 mijë e 546 MWH energji të prodhuar e të blerë nga vet KOSTT-i.

Nga ZKA-ja tutje bëjnë të ditur se që nga viti 2017 deri në gusht të vitit 2021, KOSTT-i menaxhon gjithsej 32 marrëveshje, ku 25 gjeneratorë prej tyre janë në operim komercial përderisa shtatë të tjerë janë në proces të finalizimit të ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese.

Marrëveshjet e lartëcekura për blerjen e energjisë (hidroenergjia dhe biomasa solide) kanë kohëzgjatje prej 10 vitesh, ndërsa marrëveshjet për blerjen e energjisë elektrike të gjeneruar nga panelet fotovoltaike dhe gjeneratorët e erës kanë kohëzgjatje 12 vjeçare.

Zakonisht, pas miratimit të draft marrëveshjeve nga ZRRE-ja, të përpiluara nga vet KOSTT-i, nënshkruhet edhe marrëveshja në mes kësaj të fundit dhe gjeneratorit përkatës.

Auditori i Përgjithshëm në raport përmend edhe faktin se me vendimin nr.V-810-2016 të datës 19.05.2016, ZRRE-ja kishte filluar të aplikojë edhe tarifa nxitëse për gjeneratorët e BRE-ve, si dhe përshtatjen vjetore të inflacionit pas vitit të parë të operimit.

Më tutje, nga ZKA-ja theksojnë se nga auditimi i marrëveshjeve dhe pagesave, është konstatuar gjithashtu se para nënshkrimit të marrëveshjeve ka ekzistuar vendimi përfundimtar i aprovuar nga ZRRE-ja, kohëzgjatja e marrëveshjeve mes palëve ishte sipas kërkesave të rregullës nr.10-2017 për Skemën mbështetëse për gjeneratorët e burimeve të ripërtëritëshme të energjisë, pastaj pagesat ishin bërë bazuar në tarifat nxitëse duke u bërë edhe përshtatja e inflacionit bazuar në vendimet e ZRRE-së, si dhe pagesat ishin të dokumentuara me dëshmitë përkatëse sipas raportit të gjeneruar nga sistemi i matjes.

Kujtojmë se muaj më parë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) pati njoftuar se në sezonin vijues auditues, 2021-2022, do të fillojë të kryejë auditime të performancës dhe paluajtshmërisë edhe në disa prej institucioneve dhe ndërmarrjeve tjera publike që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e auditimeve nga ky institucion.

Listës së auditimeve të ZKA-së tashmë i janë shtuar edhe ndërmarrjet si: Trepça Sh.a, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSST), përcjell Buletini Ekonomik.

Në ndërmarrjen Trepça pritet të auditohet performanca financiare dhe operative e gjithë ndërmarrjes, kurse tek ndërmarrja KOSST do të bëhet auditimi i projekteve kapitale për investimet e bëra nga vet KOSST-i. Ndërkohë, tek Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pritet të bëhet auditimi i të gjitha kontratave publike nga ky institucion. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/