Në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere sot është shqyrtuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.
Gjatë kësaj mbledhjeje të komisionit ka raportuar edhe Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili kërkoi miratimin e Komisionit për këtë projekt, që kap vlerën e 47 milionë euro.
Ky projekt pritet t’I mundësojë Kosovës që ta përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale, me ç;rast nëprmjet testit të varfërisë do të targetohen më mirë mjetet që shkojnë për asistencë sociale nga Qeveria.
Ndërkohë, opozita e ka kritikuar ministrin Murati, me ç’rast kanë thëne se në të kaluarën qeveritë kanë marrë kredi për investime kapitale, ndërkaq tani për skema sociale.
Ndërsa ministri Murati, iu përgjigj se projekti parasheh ngritje të kapaciteteve, reformim të skemës sociale, e cila është shumë diskriminuese.
“Këtë vit ka pasur një rritje të theksuar, dhe besoj se kalon mbi 50 milionë euro. Në të ardhmen mendohet të zgjerohet baza e familjeve në nevojë. Pra ka raste që ata që e meritojnë nuk marrin ndihmë sociale, por ka edhe të atillë që marrin ndihmë sociale që nuk e meritojnë”, ka thënë Murato.
Tutje, edhe Mërgim Lushtaku nga PDK-ja, tha se mjetet e kërkuar për këtë projekt janë shumë të mëdha.
“Shuma 47 milionë euro po më duket shumë, sepse po flasim për një kredi e jo për një donacion, pra qëllimin e kuptoj dhe është shumë fisnik, por në pjesën e mjeteve të përdorura në këtë drejtim është shumë”, ka thënë Lushtaku.