Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar sot Planin e Performancës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022.
Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRrE-së, ka thënë se ndër planet e para të këtij institucioni për vitin 2022, do të jenë rritja e konkurrencës dhe integrimi i tregut. Fejzullahu shtoi se periudha e ardhshme pritet të jetë sfiduese për vet ZRrE-në.
“Integrimi i tregut, rritja e konkurrencës në sektorin e energjisë elektrike dhe procesi i rregullimit të çmimit, proceset që ndërlidhen me tarifat e energjisë elektrike dhe termike, planet zhvillimore të operatorëve të rrjetit të energjisë, pritet të jenë sfiduese”, ka thënë ai.
Tutje, Fejzullahu thotë se bilancet e energjisë, pavarësia funksionale dhe financiare e ZRrE-së, janë disa nga prioritetet e këtij institucioni për vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka pyetur për faturimin e konsumatorëve në veri të vendit, dhe tha se donte të dinte për planifikimin dhe hapat e mëtutjeshëm për faturimin e konsumatorëve në veri të vendit.
Për këtë, i ka kthyer përgjigje kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili tha se faturimi i kësaj pjese është i vështirë të bëhet nga KOSTT-i dhe KEDS-i. Për këtë qëllim, ai tregoi tutje se e kanë menduar si opsion licencimin e një operatori të ri serb, siç është Elektroserveri, por që kjo do të bëhet kur tw krijohen kushtet për operim.
“Elektro-serveri është një proces që ndërlidhet me marrëveshjen e Brukselit, ku e kemi shqyrtuar dhe e kemi dorëzuar. Ne si bord që licencohet, ne u ofrojmë kushte për operim. KOSTT dhe KEDS nuk mund të operojnë në atë pjesë për shkak të kushteve, ndërsa aktualisht e kemi të vështirë t’i ofrojmë kushte një operatori tjetër siç është Elktroserveri për shkak të kushteve në atë zonë”, ka thënë Fejzullahu.
Teksa ka folur për liberalizimin e tregut, ai ka shtuar se kjo nuk mund të bëhet pa funksionalizimin e Fondit të konsumatorëve në nevojë.
“Një prej parakushteve është krijimi i fondit të konsumatorëve në nevojë. Ky fond nuk është i mjaftueshëm dhe ky fond u ndihmon konsumatorëve që nuk mund t’i përballojnë faturat e energjisë. Deri më tani kjo është një pengesë për liberalizimin e tregut”, tregoi ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti nëse kriza e energjisë elektrike do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe nëse do të ketë shtrenjtim.
“A mendoni se do të ndikojë kriza energjetike edhe në vitin 2022. A do të thotë që në prill do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, ku kjo është proklamuar edhe nga Qeveria e Kosovës”.
Fejzullahu iu përgjigj duke thënë se sipas vlerësimeve ndërkombëtare çmimi i energjisë nuk do të bie deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Sipas vlerësimeve shihet që çmimet e energjisë nuk do të bien deri në prill dhe për këtë mendojmë se kjo krizë do të vazhdojë. Nëse nuk mbulohet nga buxheti i Kosovës, atëherë kjo duhet të mbulohet nga konsumatorët, për shkak se rreth 1 milion euro është kostoja e importit, kosto e papërballueshme për neve dhe konsumatorit”, përfundoi ai. /Ekonomia online/