Kriza në kohë krize në marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

Mehmet Gjata

Thuaja sikundër gjithnjë deri tash, kur kishte më së shumti nevojë për zbatimin e dyanshëm të Marrëveshjes Kornizë të bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, të dyja palët, pra edhe shteti i Kosovës edhe ai i Shqipërisë, e harruan marrëveshjen e nënshkruar vetëm disa ditë më parë. Heshtën, madje u bënë fare të shurdhër për të ndihmuar njëri-tjetrin kur patën mundësi dhe rrethana, edhe të pakta qofshin ato.

Mehmet GJATA

Rreth 88% e qytetarëve në Shqipëri dhe 64% e atyre në Kosovë besojnë se shqiptarët në dy anët e kufirit janë shumë më të afërt me njëri-tjetrin sesa qeveritë e tyre. Dhe që në fillim të këtij teksti duhet konkluduar se “Se luan topi”. S’ka konstatim më të vërtetë. Dhe “shyqyr” që është kështu. Sepse po të mbetej në mëshirën e qeverive (edhe të këtyre aktuale, sado që javëve të fundit pati lëvizje premtuese se do të avancohen ndjeshëm raportet ndërshetërore shqiptaro-shqiptare), fitohet përshtypja vetëm sa do të largoheshim edhe më tej nga njëri tjetri, ndërsa për afrim ndërshtetëror as që mund të bëhet fjalë.

Reklama e sponzorizuar

Nga viti 2014 e deri më tani janë mbajtur 16 mbledhje të përbashkëta ndërmjet dy qeverive, ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Dhe, nga të gjitha këto marrëveshje, nuk ka pasur edhe aq rezultate, efektivitet dhe përmbushje të obligimeve të parapara me këto dokumente. Duhet thënë se kohët e fundit, sidomos pas mbledhjes së fundit të përbashkët të të dy qeverive shqiptare, të mbajtur në nëntor në Elbasan dhe marrëveshjeve të reja të nënshkruara në këtë mbledhje si dhe shpërfaqjes së gatishmërisë më të madhe të dyanshme se marrëveshjet që janë nënshkruar deri sot do të zbatohen më seriozisht, nga analistët dhe njohësit e rrethanave u vlerësua si lëvizje premtuese dhe paksa jashtë shablloneve të deritashme.

Ishte trimëruese e njëkohësisht premtues, emërimi nga të dy qeveritë të një koordinatori të përbashkët dhe krijimi i dy njësive koordinuese të vendosura në zyret e kryeministrave në Tiranë dhe Prishtinë, që praktikisht është struktura e parë institucionale e përbëshkët mes dy qeverive.

Ndërsa, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kosovë, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Kurti u zotua për ngritje të bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Dy qeveritë tona kanë mundësi dhe potencial për të realizuar projektet, për këtë duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë barazi dhe mirëqenie ndërmjet dy vendeve. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik që kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve të deritanishme, biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët e cila do të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Po ashtu, edhe për emërimin e një sekretariati për mbikëqyrjen e këtyre marrëveshjeve”, tha Kurti.

Pak a shumë kuptimisht (dalloi mbase vetëm leksiku), u shpreh edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Disa ditë më pas, sikur u vulos bashkëpunimi i intensifikuar premtues Kosovë-Shqipëri. Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike. Sipas një komunikate nga ZRRE-ja, bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike mes dy vendeve do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe pritet ta rrisë konkurrencën në tregjet e energjisë elektrike si dhe ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta. Kjo marrëveshje do të përcaktojë gjithashtu edhe të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

Nga ZRRE-ja pohojnë se ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në tregje jo-diskriminuese dhe transparente. Po ashtu, përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

“Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, përfundon komunikata e ZRRE-së.

Marrëveshjen Shqipëri-Kosovë për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike, e përshëndeti me fjalë miradie edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Përmes një postimi në Twitter, ambasadorja shkruan se ky bashkëpunim është i barabartë me fuqi më të madhe negociuese dhe e barabartë po ashtu me çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie.

“Bashkim” = fuqi më e madhe negociuese = çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie”, shkruajti me këtë rastë ambasadorja Kim.

Dhe, thuaja sikundër gjithnjë deri tash, kur kishte më së shumti nevojë për zbatimin e dyanshëm të kësaj marrëveshjeje, të dyja palët, pra edhe shteti i Kosovës edhe ai i Shqipërsisë, e harruan marrëveshjen e nënshkruar vetëm disa ditë më parë, heshtën, madje u bënë fare të shurdhër.

Fillimisht Kosova, thuaja gjatë një pjese të mirë të tetorit dhe tërë muajin e nëntorit, kur realisht Shqipëria ishte përfshirë nga kriza reale energjetike dhe kur shpalli gjendjen emergjente energjetike, nuk u bë e gjallë, heshti fare sadoqë nuk ishte përfshirë ende nga kriza e vërtetë energjetike. Pra, nuk u përmend se mund ta ndihmojë më ndonjë megavat-orë, madje as natën, kur rëndom Kosova ka teprica.

Ndërsa Shqipëria, tani kah mesi i dhjetorit, kur akumulimet e Kaskadës së Drinit thuajse janë mbushur plot e përplot me ujë, dhe kur i ka të gjitha hidrokapacitetet elektroenergjetike më tërë fuqinë në prodhim, harroi se Kosova është futur në krizë të thellë energjetike. Nuk u ndie as Shqipëria pra. Sado që zyrtarët kosovarë alarmuan jo pak për gjendjen – krizë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për media këto ditë, madje e potencoi njërën nga ditët kur Kosovës i mungoi goxha shumë rryma se ishte “dita më e vështirë që nga fillimi i krizës energjetike”, duke treguar se janë bërë përpjekje për të biseduar me Shqipërinë për të parë mundësitë që të këmbejmë energji.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm në baza ditore sidomos me Republikën e Shqipërisë që të na ndihmojë në këto ditë me anë të këmbimit të energjisë”, tha ajo.

Se çfarë përpjekjesh qenka dashur të bëheshin për të biseduar me Shqipërinë, për të parë mundësitë e këmbimit të energjisë, ministrja Rizvanolli nuk e detajizoi më shumë. Por, logjikshëm shtrohet pyetja se a nuk i obligon të dyja shtetet pra, Marrëveshja Kornizë e bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike të Kosovës dhe të Shqipërisë për t’i dalë në ndihmë konkrete njëra tjetrës.

Duhet përkujtuar, në kohë më të hershme, kur nuk kishte akoma fare marrëveshje bashkëpunimi dhe për treg të përbashkët energjetik, dhe kur nuk ka qenë akoma në dispozicion linja e interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri, të dy vendet shqiptare pa shumë llafe, e kanë ndihmuar shumë njëra tjetrën duke këmbyer energjinë elektrike, në raste të nevojave më të theksuara dhe në raste krizash eventuale. Pra, as që ka menduar kush, nga të dy sistemet të pyes as për çmim energjie, as për para kesh, as për para fare. Thjesht, janë paraqitur nevojat dhe kërkesat për energji dhe ajo është këmbyer.

Ndërsa tani, me gjithë këto marrëveshje, po u dashka për të bërë përpjekje për të biseduar për të parë mundësitë që të këmbejmë energji. Duhet të ketë pak sinqeritet të dyanshëm dhe të flaken interesat e ngushta për pak kohë, për të krijuar terren dhe rrethana për zbatimin e marrëveshjeve, edhe të këtyre që kanë të bëjnë me këmbimin e energjisë elektrike.

Dihet, edhe KEK-u, edhe KESH-i kanë nevoja dhe kërkesa të shumta për mekanizëm, pjesë ndërrimi, stabilimente shtesë dhe kushtimisht kanë shumë nevojë për para. Por, krizat aktuale energjetike në të dyja vendet, njëra pas tjetrës, ishin serioze. Prandaj, nuk do t’i kushtonte as Kosovës as Shqipërisë tani, që në vend të eksportit për një grusht parash, ta këmbenin energjinë e eksportuar ndërmjet veti. Në ditë më të mira, të dy sistemet mund të eksportojnë sa të kenë mundësi, haptas dhe pa fshehur edhe një megavat-orë të shitur jashtë vendit. Kështu, na e thotë mendja, do të duhej të funksiononte zbatimi i këtyre mërrëveshjeve. Dhe nuk majfton në asnjë mënyrë vetëm nënshkrimi aq me pompë, duke marrë poza para kamerave të shumta dhe duke organizuar solemnitete festive gjatë nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve.

Moszbatimi i përpikët i të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash, doemos do të zbehë jo pak përbetimet dhe deklaratat e shumta të krerëve të të dyja vendeve për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të bëra jo vetëm në të gjitha mbledhjet e deritashme të të dy qeverive. /Buletini Ekonomik/