Kryeministri Albin Kurti e ka përshëndetur votimin e buxhetit për vitin 2022 në lexim të dytë. Ai këtë e ka bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke përmendur ndarjet buxhetore për Trepçën e Telekomin.
“Falënderoj të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë sonë për vitin 2022. Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro.
Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet. Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme. Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri”, ka shkruar Kurti.
Buxheti për vitin 2022 u miratua mbrëmjen e së premtes me 65 vota pro, në seancë të jashtëzakonshme.