Kurtishaj: Nuk ka pasur ngritje të çmimit të biletave

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor Ruzhdi Kurtishaj, tha se edhe përkundër ngritjes së çmimit të derivateve nuk ka pasur rritje të çmimit të biletave nga ana e shoqatës.

“Nuk ka pasur ngritje të çmimit të biletave për t’i ulur ato. Ngritjet kanë qenë individuale nga dy apo tri kompani, por ngritje nuk ka pasur nga ana e shoqatës”.

Kurtishaj tha se operatorët e transportit rrugor po ballafaqohen me një varg problemesh.

Reklama e sponzorizuar

Ai shtoi se këta operatorë janë heronj të zhvillimit të vendit.

“Sektori i transportit rrugor të udhëtarëve, operatorët e licencuar që duke vepruar janë heronj të zhvillimit ekonomik të vendit, sepse nga paslufta nuk kemi rritje të biletave. Ka pasur një tendencë të harmonizimit, nuk dua të them rritje të çmimit të biletave në drejtimin për Ferizaj dhe Drenas. Por kur kemi parasysh që bëhen 35 kilometra për vetëm 80 centë është një çmim jashtëzakonisht i lirë. Se nuk ka në asnjë vend të regjionit, Evropës dhe botës me çmim kaq të lirë”, KlanKosova.

“Te çështja e transportit ndërurban nuk kemi rritje të çmimit të biletave dhe për këtë arsye transportuesit janë heronj, janë me automjete të vjetra, me probleme të shumta, pa mbështetje financiare, pa rregullativë të mirëfilltë të Ligjit dhe në këto kushte na ka pru pandemia”.

Kreu i Shoqatës së Transportit Rrugor theksoi se nuk ka pasur diskutime brenda shoqatës lidhur me mundësinë e uljes së çmimit të naftës.

Nga java e ardhshme është paralajmëruar rënia e çmimit të derivateve në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani, tha se rënia veçse ka filluar por kjo rënia do të vërehet nga java e ardhshme.

Berjani tha se deri në fundin e vitit çmimet do të jenë si më parë.

“Rënia ka filluar e çmimeve të naftës. OPEC-u ka njoftuar se rënia e çmimit të naftës do të bëhet nga janari, por tek vërehet qysh tash një rënie e lehtë. Deri fundin e vitit do të jenë sikur më parë ashtu siç ka qenë në muajin shtator diku 1.15-1.16 euro për litër”.